Turqia ashpër e dënon karikaturën e Erdoganit në Sharli Ebdo

TË FUNDIT

Zyrtarë të lartë të qeverisë turke kanë dënuar karikaturën e presidentit Rexhep Taip Erdogan në të përjavshën satirike franceze Sharli Ebdo, duke e quajtur atë një “përpjekje të neveritshme për përhapjen e racizmit dhe urrejtjes kulturore”.

“I dënojmë fuqishëm karikaturat e presidentit tonë në revistën franceze e cila nuk ka respekt për asnjë religjion tjetër. Asgjë nuk është e shenjtë për ta, ata nuk kanë vlera,” ka shkruar zëdhënësi i Erdoganit Ibrahim Kalin në Tuiter.

Ai shtoi se me këtë Sharli Ebdo ka treguar se është “vulgar dhe i pamoralshëm”.

“Sulmimi i qëndrimeve private të dikujt nuk është humor dhe as liri e shprehjes”,  shtoi Kalin.

Ndërkaq përfaqësuesi i Erdoganit për media, Fahretin Altun, deklaroi se propaganda anti-myslimane e presidentit francez Emanuel Makron po “jep fryte”.

“Dënojmë aktin më të neveritshëm të shkaktuar nga karikatura e fundit, e cila përhap racizëm dhe urrejtje,” ka shkruar Altun në Tuiter.

Në faqen kryesore të Sharli Ebdo , Erdogani qëndron ulur me një këmishë të bardhë dhe mbathje të brendshme, mban një pije dhe ngre fundin e një gruaje me hixhab.