Turqi: Sulmohet një bazë e ushtrisë, vritet një ushtar

TË FUNDIT

Një ushtar turk është vrarë, pas sulmit të kryengritësve kurdë kundër një brigade të këmbësorisë në juglindje të Turqisë, ka njoftuar ushtria.

Në kumtesën e ushtrisë u theksua se pjesëtarët e Partisë Punëtore të Kurdistanit hapën zjarr kundër bazës së ushtrisë në Sirnak dhe se ushtari vdiq në spital.

Sulmi ndodhi vetëm një ditë pas valës së dhunës në Turqi, si pasojë e së cilës tre persona u vranë pas sulmit kundër një stacioni policor në Stamboll, ndërsa katër policë turqë u vranë në juglindje të vendit.
Ndërkohë, forcat ajrore turke vazhduan sulmet kundër pozicioneve të kryengritësve kurdë në veri të Irakut.
Ushtria njoftoi se gjatë natës mes të hënës dhe të martës aeroplanët luftarakë kanë bombarduar 17 pozicione të Partisë Punëtore të Kurdistanit rreth malit Buzul dhe në Ikijaka, rajon ky i cili kufizohet me Iranin dhe Irakun./21 Media