Turqi, kërkohen të mbijetuarit nën rrënoja! Dhjetëra viktima, mbi 800 të lënduar

TË FUNDIT

Ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit janë të lodhur. Me orë të tëra pa ndalë kanë kërkuar të mbijetuarit, por edhe trupat nën rrënoja.

Ekipet e shpëtimit po thyejnë pllakat e betonit të ndërtesave të shembura në kërkim të të mbijetuarve në Izmir, qyteti i tretë sipas madhësisë në Turqi, më i goditur nga tërmeti.

Sipas informacioneve të fundit ka 26 viktima, 24 prej tyre në Izmir dhe mbi 800 të lënduar. Disa janë shpëtuar nga rrënojat. Kanë pasur fat dhe e kanë mbijetuar tërmetin.

“Jam mirë, më shpëtuan për shkak se vetëm njëra këmbë ishte e bllokuar. Këmba me të vërtetë më dhemb shumë”, tha Ellzem Perinçek.

Por disa të tjerë nuk kishin fat.

“Këtu jetojnë mbesa, axha, gjyshja dhe familja ime, ndërsa këtu jeton tezja ime dhe vajza ime. Kishim shumë familjarë që jetonin këtu, po presim pa shpresë. Thanë se ka katër viktima nën rrënojat, por nuk e dimë kush janë. Vetëm mund të qëndrojmë këtu dhe të presim. Mbesa dhe tezja janë shpëtuar, megjithatë presim lajme për familjet tjera. O Zot të lutem na ndihmo. Mos ta humbin shpresën”, tha Buket banore e Bajraklli – Izmir.

Tërmeti i parë prej gati shtatë gradëve, u pasua nga rreth njëqind tërmete më të vogla, prej të cilëve të paktën 16 ishin më të fortë se katër gradë, ndërsa ai rajon u godit edhe nga një “Cunami i vogël”.
Të paktën 24 viktima në Izmir, përfshirë edhe një grua të moshuar që u mbyt në ujë, thonë shërbimet turke të urgjencës.

Në Samos, dy adoleshentë humbën jetë pasi që një murr u shemb mbi ta dhe rreth njëzet njerëz janë lënduar. Dy nga të lënduarit, duke përfshirë një djalë 14-vjeçar, u dërguan në Athinë dhe shtatë u shtruan në spitalin e ishullit, deklaruan zyrtarët lokalë.

Epiqendra e tërmetit, i cili sipas Institutit Kandili ishte 6.9 gradë, ishte në Detin Egje në veri të Samos, duke goditur Turqinë dhe Greqinë në orën 14:51 sipas kohës lokale.

Në Turqi, u dridh rajoni nga Deti Egje deri në Detin e Marmara, ndërsa kryetari i Stambollit tha se edhe pse e kanë ndjerë tërmetin, nuk ka dëme materiale në qytet. Më shumë se 3,000 shpëtues janë dërguar në Izmir.

Mesazhe ngushëlluese për Turqinë dhe Izmirin, si dhe Greqinë, po arrijnë nga të gjitha anët. Zyrtarët dhe udhëheqësit politikë nga Maqedonia bënë të njëjtën gjë. Kryeministri Zaev, ministri i jashtëm Bujar Osmani, lideri i BDI-së Ali Ahmeti dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski dërguan mesazhe ngushëllimi dhe natyrisht ndihmë nëse është e nevojshme.