Klubi turk i futbollit, Turgutluspor ka tërhequr vëmendje të madhe në opinionin evropian të futbollit me vendimin për të emëruar 22-vjeçaren Zeynep Mestan si trajneren e re të ekipit të parë, përcjell TV21. Për trajneren e re, ky do të jetë sfida e parë serioze në karrierë, ndërsa detyra nuk do të jetë aspak e lehtë. Synimi i klubit është rikthimi në rangjet profesionale të futbollit turk.
Mestan e nënshkroi kontratën në ambientet e klubit, duke u bërë gruaja e parë që do të drejtojë ekipin e meshkujve të Turgutlusporit. Ajo ka pasur një karrierë të shkurtër si futbolliste, ndërsa tani ka mundësinë të dëshmohet në rolin e trajneres.
“Në përputhje me procesin e ristrukturimit dhe objektivat e klubit për sezonin e ri, kemi arritur marrëveshje me Zeynep Mestan për të qenë trajnerja kryesore”, njoftuan nga Turgutluspor.
Nga klubi shtojnë se nga trajnerja e re presin të jetë pjesë e zhvillimit të ri organizativ dhe teknik të ekipit.

