BDI në prag të zgjedhjeve kërkon kryeministrin shqiptarë, e për këtë kërkon përkrahje edhe nga partitë politike shqiptare. Para disa ditëve Talat Xhaferi nga kjo parti kërkoi që të krijohet një platformë e përbashkët për mbështetje të kësaj ideje.
“Apeli im është që ne të krijojmë platformë të përbashkët që bashkërisht pas zgjedhjeve të dalim në mbështetje të atij që ka siguruar shumicën e duhur”, deklaroi Xhaferi.
Lideri i ASH-së Zijadin Sela tha se nuk do të merren me propozimet e BDI-së pasi, siç tha, ato janë manipuluese.
“Aspak nuk duam të merremi me propozimin e tyre sepse është manipulativ. Aspak nuk është e sinqertë kjo deklaratë tani më pasi listat zgjedhore janë bërë gati. Gjithsesicli garon me listën e tij zgjedhore. Ku është ideja e dorës së zgjatur të tyre, dorë e cila saherë që është zgjatur nga ana jonë na kanë vënduar thikën pas shpine”, deklaroi Sela.
Lideri i Alternativës Afrim Gashi zotohet në qoftë se fitojnë në zgjedhje do të ulen me opozitën shqiptarë vetëm për të punuar në interes të shqiptarëve.
“Unë mendoj se komunikimi mes partive shqiptare duhet përmirësohet se nuk ka qenë i duhur. Ajo barë i takon partisë e cila është e para dhe merr shumicën e votave shqiptare. Si koalicion nëse ne i fitojmë zgjedhjet zotohemi para qytetarëve se ne do të jemi ata që do të shtrijnë dorën dhe që do t’i ftojmë partitë e tjera që do të mbesin në opozitë që çështjet të kanë të bëjnë me interesin e shqiptarëve t’i realizojmë bashkërisht”, tha Gashi.
Sekretari gjeneral i Lëvizjes Besa Arjanit Hoxha tha se nëse thirret tryeza e përbashkët ata do të marrin pjesë dhe do të kërkojnë llogari nga BDI.
“Ne mesiguri do të marrim pjesë në tryezën me partitë politike shqiptare dhe do të kërkojmë përgjegjësi dhe raport për qeverisjen e BDI-së gjatë kësaj periudhe se çfarë ka imprementuar në deklaratën e përbashkët”, tha Hoxha.
Ndryshe në zgjedhjet e kaluara partitë shqiptare firmosën platformën shqiptare përmes së cilës u zotuan se do të angazhohen për ngritjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni.