Trupi i pajetë i Faton Hajrizit ka arritur në Kosovë në orët e para të së premtes. Trupi i Hajrizit arriti në Merdar rreth orës 02:00. Avokati i angazhuar nga familja Hajrizi, Arianit Koci, ka thënë se trupi i është dorëzuar IML-së, Prokurorisë dhe Policisë si dhe do të ketë ekzaminime shtesë.
“Trupi i është dorëzuar Institutit të Mjekësisë Ligjore, prokurorit dhe Policisë së Kosovës. Ata vazhdojnë tash me procedurat e mëtutjeshme. Do të ketë ekzaminime shtesë, është në kompetencë të prokurorit, besoj deri të hënë apo të martën do të kryhen të gjitha. Gjitha dokumentet që kam pasur ia kam dorëzuar prokurorisë sonë, policisë, kështu që kemi pasur një koordinim të shkëlqyer. Shumë na ka ndihmuar Zyra e Kosovës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Jashtme”, ka thënë Koci në një prononcim për media në Merdar.
Pas kthimit të trupit të Faton Hajrizit në Kosovë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë se institucionet përkatëse po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin publik që trupi i pajetë i qytetarit të Kosovës, i raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë, tashmë ka mbërritur në Kosovë. Pas mbërritjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij”, thuhet në njoftim.
