Trumpi kërcënon Kanadanë me tarifa të reja për shkak të tymit nga zjarret masive

TË FUNDIT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar se do të vendosë tarifa të reja ndaj Kanadasë, pasi tymi i shkaktuar nga qindra zjarre pyjore ka mbuluar me mjegull të dendur një pjesë të madhe të veriut të SHBA-së.

Deklarata e Trumpit vjen pas ankesave të disa ligjvënësve amerikanë për ndotjen e ajrit, ndërsa kryetari i provincës së Ontarios, Doug Ford, i bëri thirrje Washingtonit që të dërgojë ndihmë për shuarjen e zjarreve, në vend që ta kritikojë Kanadanë, raporton BBC.

“Shtetet e Bashkuara po pushtohen në mënyrë të panevojshme nga ajër i ndotur, i papastër dhe i dëmshëm për shëndetin”, shkroi Trump në platformën Truth Social. 

Ai paralajmëroi se mund të vendosë tarifa të reja ndaj Kanadasë, duke e akuzuar atë për “neglizhencë të qëllimshme” në menaxhimin e pyjeve dhe bimësisë.

Sipas Qendrës Kanadeze për Informacion mbi Zjarret Pyjore, deri të premten në vend ishin aktive rreth 888 zjarre, ndërsa shumica e tyre vazhdonin të ishin jashtë kontrollit. 

Vetëm në provincën e Ontarios po digjeshin më shumë se 190 vatra zjarri, një pjesë e të cilave nuk janë vënë ende nën kontroll.

Trump deklaroi gjithashtu se do të telefonojë kryeministrin kanadez, Mark Carney, për të kërkuar shpjegime lidhur me atë që ai e cilësoi si “neglizhencë të qëllimshme”, duke pretenduar se Kanadaja nuk po kujdeset siç duhet për pyjet dhe shkurret e saj.

Ndërkohë, disa politikanë republikanë e kanë shfrytëzuar situatën për të rikthyer idenë e Trumpit që Kanadaja të bëhet “shteti i 51-të” i SHBA-së. Kjo ide ka shkaktuar reagime të forta në Kanada, ku shumë qytetarë kanë bojkotuar udhëtimet drejt SHBA-së në shenjë proteste. Në rrjetet sociale janë shfaqur edhe thirrje për të shtyrë hapjen e urës ndërkombëtare Gordie Howe, një projekt i financuar nga Kanadaja që do të lidhë Ontarion me shtetin amerikan të Miçiganit.

Nga ana e tij, kryeministri Mark Carney ka theksuar se lufta kundër ndryshimeve klimatike është një përgjegjësi e përbashkët e Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara.

Pas deklaratave të Trumpit, ministrja kanadeze përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave bëri të ditur se të dy vendet vazhdojnë të jenë në kontakt të vazhdueshëm dhe kanë një histori të gjatë bashkëpunimi në përballimin e fatkeqësive natyrore.

Ajo kujtoi se ekziston një marrëveshje dypalëshe për ndihmë në luftimin e zjarreve që nga viti 1982, si dhe një marrëveshje tjetër bashkëpunimi e arritur pas Samitit të G7-s në vitin 2025.