Administrata e presidentit amerikan Donald Trump planifikon që në Kongres të paraqesë për miratim një marrëveshje me Arabinë Saudite për ndarjen e teknologjisë bërthamore, për të cilën mediat amerikane theksojnë se nuk përmban masa mbrojtëse për të parandaluar përdorimin e saj në programe për zhvillimin e armëve bërthamore.
Bëhet fjalë për një dokument të njohur si Marrëveshja sipas nenit 123 të Ligjit amerikan për Energjinë Atomike, e cila vitin e kaluar u nënshkrua nga sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, dhe ministri saudit i Energjisë, Abdulaziz bin Salman.
Marrëveshjet e bazuara në nenin 123 mundësojnë bashkëpunimin e SHBA-së me shtete të tjera në fushën e energjisë bërthamore, përfshirë transferimin e teknologjisë dhe materialeve bërthamore.
Burime të njohura me marrëveshjen thonë se dokumenti nuk përfshin të ashtuquajturin “standardin e artë”, i cili do t’i ndalonte Arabisë Saudite pasurimin e uraniumit dhe përpunimin e karburantit bërthamor të përdorur – aktivitete që potencialisht mund të shfrytëzohen për zhvillimin e armëve bërthamore.
Arabia Saudite prej vitesh përpiqet të zhvillojë një program civil bërthamor, ndërsa Uashingtoni më herët ka kërkuar garanci nga Riadi se teknologjia bërthamore nuk do të përdoret për qëllime ushtarake.
