Trump thotë se së shpejti do të vizitojë Gazën

TË FUNDIT

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi planet për të vizituar në një të ardhme të afërt Gazën, duke theksuar angazhimin e tij për të ndjekur zhvillimet në rajon nga afër.

Trump paralajmëroi gjithashtu se Izraeli do të humbasë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara nëse vendos të aneksojë Bregun Perëndimor, territoret e pushtuara që konsiderohen të paligjshme, sipas së drejtës ndërkombëtare.

“Nuk do të ndodhë”, tha Trump për revistën amerikane “Time”, duke theksuar se u kishte dhënë fjalën udhëheqësve arabë se territori nuk do të aneksohej.

“Izraeli do të humbiste gjithë mbështetjen nga SHBA-ja nëse kjo do të ndodhte”, shtoi ai.

Presidenti amerikan gjithashtu komentoi bisedën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, që çoi në marrëveshjen e armëpushimit në Gaza.

“I thashë Netanyahut: Nuk mund të luftosh me gjithë botën”, tha Trump.

“E ndalova, sepse ai do të vazhdonte përtej kufijve”, theksoi Trump.

Ndërkohë, nënkryetari amerikan JD Vance, gjatë largimit nga Izraeli, e quajti si “fyerje”, një projektligj që synon aneksimin e territoreve të pushtuara në parlamentin izraelit.

Pas largimit të nënkryetarit JD Vance, në Tel Aviv ka mbërritur pasditen e kësaj të enjteje sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Kreu i diplomacisë amerikane ka në agjendë një takim me kryeministrin Benjamin Netanyahu.