Trump shkarkon Prokuroren e Përgjithshme të SHBA-së, Pam Bondi

TË FUNDIT

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shkarkuar nga detyra Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi, një nga aleatet e tij më të afërta dhe mbrojtëse e fortë e administratës së tij, shkruan BBC.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump e falënderoi Bondin për punën e saj dhe njoftoi se ajo do të kalojë në sektorin privat. Ai e vlerësoi performancën e saj, duke thënë se kishte bërë një “punë të jashtëzakonshme” në luftën kundër krimit.

Bondi do të zëvendësohet nga Todd Blanche. Në reagimin e saj, ajo u shpreh se do të punojë për një tranzicion të qetë dhe e cilësoi detyrën si “nderin më të madh të jetës së saj”. Ajo shtoi gjithashtu se do të vazhdojë të mbështesë Trump edhe në rolin e ri.

Largimi i saj vjen pas kritikave të shumta për mënyrën se si Departamenti i Drejtësisë trajtoi çështjen e financierit të dënuar Jeffrey Epstein.

Bondi kishte premtuar transparencë dhe publikimin e një liste të supozuar klientësh, por më vonë deklaroi se një listë e tillë nuk ekzistonte. Publikimi i dokumenteve ndodhi vetëm pas presionit të madh politik dhe një ligji të miratuar nga Kongresi.

Çështja shkaktoi reagime të forta nga të dyja partitë. Ligjvënësit kritikuan Departamentin e Drejtësisë për mënyrën e publikimit të dokumenteve, duke akuzuar se disa të dhëna të ndjeshme nuk ishin mbrojtur siç duhet.

Ndërkohë, reagimet politike kanë qenë të ndara. Disa republikanë e falënderuan Bondin për kontributin e saj, ndërsa kritikë të tjerë kërkuan që pasuesi i saj të publikojë të gjitha dokumentet e mbetura të çështjes Epstein dhe të vazhdojë hetimet.