Trump: Së shpejti vendosim mes sulmit dhe marrëveshjes me Iranin! SHBA-ja ka kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit

TË FUNDIT

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se lufta me Iranin do të përfundojë “shumë shpejt”, duke thënë se SHBA-ja ka pothuajse kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit.

“Do të shihni se gjërat do të ndodhin shumë shpejt”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale, duke shtuar se lufta do të përfundojë “në një mënyrë ose në tjetrën”, raportoi Fox News.

Trump tha se Irani është “praktikisht i shkatërruar”, duke pretenduar se ekonomia e tij është në gjendje të rëndë, me inflacion mbi 300 për qind. Ai gjithashtu tha se marina dhe aviacioni iranian janë shkatërruar dhe se sistemet kundërajrore nuk ekzistojnë më.

Duke folur për Ngushticën e Hormuzit, Trump tha se SHBA-ja ka “pothuajse kontroll të plotë” mbi këtë rrugë ujore, ndërsa më pas e korrigjoi duke thënë: “Do të thosha kontroll të plotë”.

Ai shtoi se gjatë tre ditëve të fundit nëpër Ngushticën e Hormuzit ka kaluar më shumë naftë se në çdo periudhë tjetër në histori.

Trump më herët kishte deklaruar se SHBA-ja së shpejti duhet të vendosë nëse do ta sulmojë Iranin apo do të arrijë një marrëveshje me Teheranin.

“Ndoshta do t’i hedhim në erë. Duhet ta marrim atë vendim. T’i hedhim në erë apo të arrijmë një marrëveshje”, u tha Trump gazetarëve.

Ai theksoi se “momenti po afrohet” dhe se situata do të përfundojë “shumë shpejt, në një mënyrë ose në tjetrën”.