Trump: Nxjerrja e ‘pluhurit bërthamor’ nga Irani do të jetë proces i gjatë dhe i vështirë

TË FUNDIT

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nxjerrja e rezervave iraniane të uraniumit do të jetë një “proces i gjatë dhe i vështirë”, pas sulmeve amerikane ndaj objekteve të programit bërthamor të Iranit.

“Operacioni ‘Çekiçi i Mesnatës’ çoi në shkatërrimin e plotë dhe përfundimtar të kapaciteteve bërthamore të Iranit. Pikërisht për këtë arsye, nxjerrja e ‘pluhurit bërthamor’ do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë”, shkroi Trump në profilin e tij në rrjetin social “Truth Social”.

Trump shpesh përdor termin “pluhur bërthamor” kur i referohet rezervave të uraniumit të pasuruar të Teheranit.

Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Levit, deklaroi se SHBA-të nuk kanë qenë kurrë më afër arritjes së një marrëveshjeje me Iranin, pavarësisht pasigurisë nëse do të ketë një raund të ri negociatash.

“SHBA-të nuk kanë qenë kurrë kaq afër nënshkrimit të një marrëveshjeje vërtet të mirë, ndryshe nga marrëveshja e tmerrshme e arritur nga Barack Obama”, tha Levit, duke iu referuar marrëveshjes për programin bërthamor iranian të vitit 2015, e cila më vonë u anulua nga Trump.

Levit theksoi se SHBA-të janë në fazën përfundimtare të negociatave, por shtoi se Trump ka në dispozicion më shumë opsione dhe nuk do të hezitojë t’i përdorë nëse nuk arrihet marrëveshje.

Ajo nënvizoi se presidenti tashmë ka treguar se i përmbush premtimet e tij. Sipas Trump, afati i armëpushimit dyjavor skadon nesër. Ai paralajmëroi se do të urdhërojë sulme ndaj objekteve të infrastrukturës energjetike dhe civile të Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje.