Trump mbërriti në Izrael, u prit nga udhëheqësit dhe familjarët e tij

TË FUNDIT

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mbërritur në Izrael, ku u prit nga homologu i tij, Isaac Herzog, dhe kryeministri Benjamin Netanyahu. Trump pritet të zhvillojë takime me Netanyahun dhe familjarë të pengjeve të liruara.

Në Izrael ndodhen edhe vajza e Trump, Ivanka, dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner. Air Force One u ul në Tel Aviv pak minuta më parë. Trump përshëndeti gjithashtu të dërguarin e tij të posaçëm, Steve Witkoff, dhe Kushner, të cilët ndihmuan në ndërmjetësimin e marrëveshjes së armëpushimit javën e kaluar.

Marrëveshja mes Izraelit dhe Hamasit është rezultat i muajve negociata të ndërmjetësuara nga SHBA, Katari, Egjipti dhe Turqia. Ajo parashikon lirimin e rreth 20 pengjeve izraelite ende gjallë dhe kthimin e trupave të rreth 28 pengjeve të vdekur.

Në këmbim, Izraeli do të lirojë rreth 2,000 të burgosur palestinezë, kryesisht gra dhe të rinj, duke përjashtuar figurat kryesore të Hamasit. Një pjesë e forcave izraelite do të tërhiqet nga zona të caktuara të Gazës, ndërsa ndihma humanitare do të lejohet të hyjë nën mbikëqyrjen e vëzhguesve ndërkombëtarë.