Trump: Marrëveshja për Gazën është afër, ndoshta do ta vizitoj Lindjen e Mesme gjatë fundjavës

TË FUNDIT

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se ekziston mundësia të vizitojë Lindjen e Mesme gjatë fundjavës së ardhshme dhe se një marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës është shumë afër.

Gjatë një deklarate për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se bisedimet po ecin mirë dhe se ekziston një “mundësi e madhe” që të arrihet marrëveshja për t’i dhënë fund luftës në Gazë, bazuar në planin e tij.

Trump theksoi se ka mundësi të shkojë në Lindjen e Mesme të dielën, pasi, sipas tij, negociatorët po punojnë shumë mirë. “Kemi një ekip të shkëlqyer negociatorësh atje, por fatkeqësisht edhe pala tjetër ka negociatorë të mirë. Por mendoj se armëpushimi është diçka që ka shumë gjasa të ndodhë,” tha Trump.

Ai përsëriti se bota arabe dhe ajo myslimane e mbështesin planin e tij.

“Negociatat tona të fundit janë me Hamasin. Dhe duket se po ecin mirë. Nëse gjithçka shkon sipas planit, ndoshta do të nisem të dielën, ndoshta edhe të shtunën,” përfundoi Trump.