Izraeli dhe organizata palestineze Hamas kanë rënë dakord për fazën e parë të planit të paqes për Gazën, të propozuar nga presidenti amerikan Donald Tramp, njoftoi vetë Trampi në platformën Truth Social.
“Kjo do të thotë që të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në vijën e rënë dakord, si hapi i parë drejt një paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përhershme,” shkroi Trampi.
Ai e cilësoi marrëveshjen si “një ditë të madhe për botën arabe dhe myslimane, për Izraelin, për vendet fqinje dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, duke falënderuar ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia për rolin e tyre në arritjen e këtij “moment historik dhe të pashembullt”.
Sipas mediave izraelite, rreth 48 pengje mbahen ende në Rripin e Gazës, prej të cilëve 20 besohet se janë gjallë.
Menjëherë pas njoftimit të Trampit, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu reagoi në rrjetin X, duke shkruar:
“Me ndihmën e Zotit, do t’i kthejmë të gjithë në shtëpi.”
Në një deklaratë tjetër, ai theksoi se kjo është “një fitore diplomatike, kombëtare dhe morale për shtetin e Izraelit”.
“Që nga fillimi kam thënë qartë: nuk do të pushojmë derisa të kthehen të gjithë pengjet tona dhe të arrihen të gjitha qëllimet tona. Falë vendosmërisë sonë, veprimit të fuqishëm ushtarak dhe përpjekjeve të mikut tonë të madh, presidentit Tramp, kemi arritur këtë moment kritik,” shtoi Netanjahu.
Ndërkohë, Hamasi konfirmoi arritjen e marrëveshjes, e cila, sipas tyre, “parashikon përfundimin e luftës në Gaza, tërheqjen e forcave pushtuese, hyrjen e ndihmave humanitare dhe shkëmbimin e të burgosurve”.
Në njoftimin e tyre, organizata falënderoi ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, si dhe vlerësoi “angazhimin e presidentit Tramp për t’i dhënë fund luftës dhe pushtimit të Gazës”.
Bisedimet midis negociatorëve nga Izraeli dhe Hamasi po zhvillohen prej disa ditësh në Sharm el-Sheikh, Egjipt.
Plani i paqes me 20 pika i Trampit parashikon që Izraeli të tërheqë forcat e tij në një “vijë fillestare tërheqjeje” në këmbim të lirimit të pengjeve, të cilët janë mbajtur robër për më shumë se dy vjet.
Sipas planit, Izraeli pritet të lirojë rreth 250 palestinezë të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 1.700 të tjerë të ndaluar pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Që nga ajo ditë, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi – të cilat OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare i konsiderojnë të besueshme – mbi 67.000 palestinezë janë vrarë në luftën në Gaza.