Trump ia zgjat afatin Iranit për hapjen e Ngushticës së Hormuzit

TË FUNDIT

Të hënën, Trump tha në një postim se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kishin zhvilluar bisedime “shumë të mira dhe frytdhënëse” për t’i “zgjidhur plotësisht armiqësitë në Lindjen e Mesme”.

Ai tha se po shtynte me pesë ditë një afat që i kishte vendosur Iranit për të hapur Ngushticën e Hormuzit, ose përndryshe SHBA-ja do t’i shkatërronte centrale e tij energjetike, shkruan REL/RFE.

Periudha e ultimatumeve të Trumpit ka ndryshuar disa herë në postimet e tij që i ka bërë së fundmi në rrjetet sociale, ose në intervistat e tij.

Në një intervistë më 5 prill për të përditshmen amerikane, Wall Street Journal, Trump ka thënë se Irani duhet ta hapë ngushticën brenda dy ditësh ose në të kundërtën “do të mbeten pa termocentralet dhe centralet tjera që i kanë në gjithë shtetin”. Fillimisht, Trump ka sinjalizuar se afati i fundit ishte 6 prilli.

Më vonë e ka bërë një postim tjetër: “E martë, ora 8:00 në mbrëmje sipas kohës lindore!”, pa ofruar më shumë hollësi.

Pavarësisht kërcënimeve, Trump ka thënë në një intervistë në Fox News se Teherani është “duke negociuar tani” dhe beson se ka mundësi të mira që të arrihet një marrëveshje në 24 orët e ardhshme.

“Mendoj se ka mundësi të mira për 6 prill. Po negociohet tani. Nëse nuk arrihet një marrëveshje shpejt, po e shqyrtoj shkatërrimin e gjithçkaje dhe marrjen e naftës”, ka shtuar ai.

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i japin fund “lojës së rrezikshme”, duke e ndalur luftën me Teheranin.

Qalibaf, i konsideruar nga disa në Shtëpinë e Bardhë si partner i mundshëm, e ka akuzuar Uashingtonin përmes një postimi në rrjetet sociale më 5 prill se po bën “hapa të pamatur” në konflikt dhe që “i gjithë rajoni do të digjet”.

Mes tjerash, Trump ka thënë se SHBA-ja u ka dhënë armë protestuesve iranianë “përmes kurdëve”.

“Besoj se kurdët i kanë mbajtur ato”, ka shtuar presidenti amerikan.

Kjo ka qenë referencë për protestat që kanë shpërthyer në fund të dhjetorit në Iran, për shkak të përkeqësimit të kushteve ekonomike, para se të zgjeroheshin në protesta kundër regjimit në gjithë shtetin.

Dhjetëra mijëra iranianë janë vrarë apo arrestuar në protestat, të cilat janë shtypur me dorë të hekurt nga shteti.

Paralajmërimet e Trumpit vijnë teksa Irani e ka mbyllur pothuajse tërësisht Ngushticën e Hormuzit, prej nga kalon 20 për qind e furnizimeve globale me naftë dhe gaz. Si përfundim, çmimet e energjisë janë rritur në gjithë botën.

Lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit ka nisur më 28 shkurt. Irani është kundërpërgjigjur me sulme me raketa me dronë kundër Izraelit dhe shteteve të Gjirit Persik, dhe në disa raste i ka shënjestruar forcat dhe asetet amerikane.