Trump i gatshëm për debatin e dytë presidencial

TË FUNDIT

Kandidati demokrat për President të SHBA-ve Joe Biden deklaroi se Presidenti Donald Trump nuk duhet të zhvillojnë debatin e tyre të planifikuar më 15 tetor nëse do të vazhdonte të ishte i infektuar me virusin korona.

“Nëse ai ende ka Covid-19, nuk duhet të kemi debat”, theksoi Joe Biden, kandidat demokrat për President.

Por nga ana tjetër Presidenti aktual Donald Trump, i cili garon për mandatin e dytë, nga Shtëpia e Bardhë, thotë se e ka në planë të marrë pjesë në debatin e dytë me rivalin e tij demokrat Joe Biden.

“Unë mezi e pres debatin mbrëmjen e së enjtes më 15 tetor në Miami. Do të jetë i mrekullueshëm!”, shkruan Presidenti Trump në Twitter.

Ndërkaq, Komisioni për Debatet Presidenciale, grupi jofitimprurës që organizon debatet nuk ka komentuar ende për këtë çështje.

Trump rezultoi për herë të parë pozitiv për Covid-19 të enjten e kaluar dhe u shtrua në spital për 72 orë. Bazuar në këto detaje për fazat e infektimit, pjesëmarrja e tij në debat, gjatë së cilës kandidatët do t’u përgjigjen pyetjeve të votuesve, mund të përbëjë rrezik për shëndetin publik, bazuar në udhëzimet nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), e cila konsideron se dikush i infektuar me virusin mund ta transmetojë atë për 10 deri në 20 ditë nga fillimi i simptomave.