Trump fton Erdoganin t’i bashkohet Bordit të Paqes për Gazën si anëtar themelues

TË FUNDIT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në cilësinë e kryetarit themelues të Bordit të Paqes për Gazën, i ka dërguar ftesë presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për t’iu bashkuar këtij bordi.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Komunikimeve i Presidencës turke, Burahanettin Duran, përmes një postimi në platformën sociale turke NSosyal. Ai theksoi se më 16 janar, presidenti Trump i ka dërguar një letër presidentit Erdogan, duke e ftuar të bëhet anëtar themelues i Bordit të Paqes.

Sipas Duranit, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, përmes Rezolutës 2803, ka mbështetur Planin Gjithëpërfshirës për Përfundimin e Konfliktit në Gaza, i shpallur nga Trump, i cili ka çuar në arritjen e armëpushimit në enklavën palestineze.

Në këtë kuadër, ai shtoi se Bordi i Paqes dhe strukturat përkatëse po krijohen me qëllim garantimin e sigurisë dhe rindërtimin e Rripit të Gazës.