Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se ekziston një “shans shumë i mirë” që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani të arrijnë marrëveshje që do ta pengonte Teheranin të sigurojë armë bërthamore, përcjell TV21. Ai shtoi se, me kërkesë të aleatëve nga Lindja e Mesme, i ka shtyrë për sot sulmet ushtarake të planifikuara ndaj Iranit, me qëllim vazhdimin e negociatave me Teheranin, shkruan Reuters.
Sipas Trumpit, liderët e Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe kanë kërkuar shtyrjen e operacionit ushtarak.
“Nëse mund ta zgjidhim këtë pa bombardime, do të isha shumë i lumtur”, deklaroi Trump para gazetarëve, duke shtuar se SHBA-ja mbetet e gatshme për një aksion të madh ushtarak nëse nuk arrihet marrëveshje.
Më herët, Trump paralajmëroi se Iranit “po i mbaron koha” dhe se duhet “të veprojë shpejt”.
Nga Irani mbrëmë njoftuan se i janë përgjigjur propozimit të ri amerikan për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, i cili nisi më 28 shkurt me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Armëpushimi i brishtë është në fuqi që nga 8 prilli.
Megjithatë, analistët vlerësojnë se të dyja palët vazhdojnë të kenë qëndrime dukshëm të kundërta.
Mediat iraniane raportojnë se Uashingtoni ka dorëzuar një propozim me pesë pika, mes të cilave kërkohet që Irani të mbajë vetëm një objekt aktiv bërthamor dhe rezervat e uraniumit të pasuruar t’i transferojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
