Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, la të kuptohet se, nëse Bashkimi Evropian i lejon Kanadasë të bëhet anëtare e asociuar, një veprim i tillë mund të konsiderohet si “akt armiqësor”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi dje se dëshiron të krijojë mundësinë që Kanadaja të bëhet vendi i parë “anëtar i asociuar” i Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, Trump kërcënoi se një hap i tillë mund të pasohet me vendosjen e tarifave shtesë ndaj BE-së.
“Nëse qëllimet janë të mira – mirë. Nëse janë të këqija, do të vendosim tarifa shumë të larta ndaj Evropës”, deklaroi Trump lidhur me synimet e liderëve evropianë.
Ai gjithashtu la të hapur mundësinë që SHBA-ja të ndërpresë tregtinë me Evropën në sektorë të caktuar.
Trump e cilësoi mundësinë e anëtarësimit të Kanadasë në BE si “qesharake”, ndërsa fqinjin verior të SHBA-së e quajti “partner të tmerrshëm tregtar”.
