Viktimë e re e komikëve rusë, të njohur si Vovan dhe Leksus, ishte kryeministri kanadez Xhastin Trudo, të cilit i janë prezentuar si aktivistja suedeze Greta Thunberg, e cila gjoja ka kërkuar prej tij t’i mundësojë takim me personazhet e serisë së animuar “Sauth Park”, Ternes dhe Filip.
Gjatë bisedës 10-minutëshe, të incizuar në janar, Vlladimir Kuzencov dhe Aleksej Stolljarov, të cilët tani e publikuan, e kanë këshilluar Trudonë për politikën botërore, midis tjerash, por gjithashtu kanë theksuar se janë të brengosur për krizën ndërkombëtare në rritje dhe mundësinë për luftë të re botërore, transmeton “Gardian”.
“Ju jeni të rritur, por po silleni si fëmijë. Mund të krijomë botë ku do të ketë hapësirë për secilin. Edhe për persona me ngjyrë edhe për ata pa ngjyrë, të krishterë dhe myslimanë, Trampin dhe Putinin, për Boris Xhonsonin dhe Korbin, për Terensin dhe Filipin. Braktiseni NATO-n, leni armët, mblidhni lule, buzëqeshni natyrës”, ka thënë Greta e rreme.
Kësaj Trudo, në mënyrë diplomatike i është përgjigjur se kjo është perspektivë e vërtetë.
“Edhe unë gjithashtu ëndërroj për një botë në të cilën ushtarët nuk janë të nevojshëm, por për fat të keq ne akoma nuk jetojmë në atë botë”, ka thënë Trudo.
Kryeministri kanadez e ka kuptuar se bëhet fjalë për shaka kur Greta e rreme e ka përsëritur kërkesën për ta njoftuar me Terens dhe Filip.
Paraprakisht viktima të komikëve rusë ishin personalitetet e njohura publike, ndërsa para Trudosë ishin këngëtari Ellton Xhon të cilin duo e thirri duke iu prezentuar si presidenti rus Vlladimir Putin, i cili dëshiron të bisedojë me të për të drejtat e homoseksualëve
