Trotuaret në “Xhon Kenedi” të mbushura me mbeturina – Qytetarët thonë se janë aty që nga dita e Bajramit

TË FUNDIT

Qese të plastikës, kanaçe, perime të hedhura dhe shumë gjëra të tjera.

Kështu duken disa trotuare në rrugë kryesore të Çairit “Xhon Kenedi”.

Në këto ditë të nxehta vështirë të kalosh këtu, jo vetëm se të pengojnë rrugën, por edhe nga era e keqe që kundërmon.

Në këto temperatura të larta në Shkup, pra siç po e shihni prapa meje këtu në “Xhon Kenedi” janë grumbulluar mbeturina të shumta para ndërtesave.

Pyetëm disa qytetarë se sa kohë nuk janë pastruar mbeturinat nga rruga. Edhe pse nuk deshën të flasin para kamerës, na thanë se mbeturinat që janë jashtë kontejnerëve nuk janë pastruar prej ditës së Bajramit të Kurbanit, pasi që sipas tyre, duhe të vijë kamion tjetër i Higjienës Komunale për mbeturinat e mbetura jashtë.

“Higjiena Komunale Shkup” ditë më parë përmes një statusi në Fejsbuk apeloi tek qytetarët që të mos hedhin mbeturina në hapësira publike, gjë që madje e cilësojnë si tendencioze.

 “Qyteti i Shkupit dhe Higjiena Komunale apelojnë që të ndalet hedhja tendencioze e paligjshme dhe e pavetëdijshme e mbetjes në hapësira publike. Edhe një herë ju rikujtojmë se çdo hedhje e mbetjes jashtë enëve të caktuar është shkelje e drejtpërdrejtë e Ligjit për Pastërti Publike dhe autorët i nënshtrohen sanksioneve. Kjo sjellje rrezikon shëndetin publik dhe rrit ndjeshëm rrezikun e përhapjes së sëmundjeve infektive, veçanërisht në periudhën verore”, thonë nga Higjiena Komunale-Shkup.

Sot e pyetëm ndërmarrjen se kur do të pastrohen, por nuk morëm përgjigje.