Tribunë e LSDM: Më pak deputetë dhe ministra, më shumë para për popullin

TË FUNDIT

Parlamenti i Republikës së Maqedonisë të ketë më së shumti 100 deputetë, ndërsa Qeveria mos të ketë më shumë se 20 ministra, propozoi sot LSDM në tribunën e mbajtur në Shkup, në kuadër të promovimit të programit „Vizioni për Maqedoninë“.

Zëvendës-kryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska, mendon se Maqedonisë i duhet një qeveri e përgjegjshme dhe transparente, me mekanizma për kontrollë të qytetarëve mbi të. “Themi se Maqedonia është shtet i varfër, por nuk është e varfër për të paguar shumë deputetë për kokë banori. Shihni ministrat. Këtu është edhe më tmerrshëm. Maqedonia këtu është një rekorder i bindshëm negativ. 26 ministra, dhe le të jenë dy milionë banorë, që nuk janë. Për 81.000 njerëz në këtë shtet keni nga një ministër. Nëse e shihni Gjermaninë, ka nga një ministër në pesë milionë njerëz“, potencoi ajo.

Krahas kësaj, LSDM, propozon që Qeveria njëherë në javë t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve në Parlament, e jo njëherë në muaj siç është tani. Partia më tej kërkon që të gjitha kompanitë „of shor“ që investojnë në Maqedoni të jenë të obliguara t’i shpallin pronarët e vërtetë të firmave të cilat investojnë. Të gjitha kompanive të tilla në Maqedoni do t’u jepet një afat përfundimtar, se deri kur do të duhet ta dorëzojnë hisoriatin e plotë për punën e tyre.

Kryetari i komisionit partiak për ekonomi, Dragan Tevdovski, thotë se vendi duhet të ec në rrugën drejt zhvillimit për një afat të gjatë, që është i mundur vetëm përmes kthimit të klasës së mesme, me qeveri të hapur dhe llogaridhënëse. “Sa prej amvisërive e përmbushin këtë prag? 70 përqind nuk e përmbushin. Kur flasim për klasën e mesme, ajo do të duhej të fillojë shumë më herët, e jo nga 80 % e familjeve më të pasura në Maqedoni. Cila është rrugëdalja? Sipas teorisë ekonomike, nga klasa e mesme dilet kur familja është në 5 % prej më të pasurve“, tha Tevdovski.

Për tu realizuar e gjithë kjo, lideri i LSDM-së Zoran Zaev, kërkoi ndihmë prej qytetarëve. “Apsolutisht jemi të vetëdijshëm se na duhet ndihmë. Dhe ne kërkojmë ndihmë. Sinqerisht e kërkojmë dhe nuk kalkulojmë me atë punë. Ne e dimë se çfarë duam, por kemi miliona dilema“, theksoi Zaev në këtë tribunë.

Sipas LSDM-së, programi „Vizioni për Maqedoninë“ ka pesë shtylla.  Shtylla e parë duhet të sigurojë qeveri të përgjegjshme dhe kontroll të saj, ndërsa shtylla e dytë ndarje të drejtë të të ardhurave dhe nxjerrje nga varfëria. Shtylla e tretë dhe e katërt duhet të sigurojnë zhvillim të kapaciteteve vendore dhe punë të ndershme, si dhe të ardhme evropiane dhe jetë kualitative. Shtylla e fundit, e pesta, siguron një shoqëri për të gjithë.

Kjo ishte tribuna e tretë me radhë, në të cilën LSDM-ja promovoi programin e vet „Vizioni për Maqedoninë“ me të cilën, siç theksojnë nga atje, ofrojnë të ardhme për Maqedoninë.

Iskra Opetçeska