Tri vjet nga zjarri në spitalin modular në Tetovë, ku 14 persona humbën jetën dhe dhjetëra persona u lënduan. Nga 14 personat që humbën jetën si pasojë e zjarrit, 12 ishin shtruar në spital si të prekur nga Kovid-19, ndërsa dy ishin familjarë të pacientëve.
Gjykata Themelore e Tetovës ka zhvilluar gjykim në vitin 2022 dhe 2023 dhe me vendim të Gjykatës së Apelit është dashur që këtë vit të përsëritet gjykimi për disa nga të akuzuarit. Seanca e parë për rigjykimin e dy drejtorëve ishte caktuar për më 26 qershor 2024, por është shtyrë për 25 shtator të këtij viti për shkak të mungesës së përfaqësuesve të Spitalit klinik të Tetovës.
Më 5 qershor 2023, Gjykata Themelore e Tetovës ka shqiptuar dënim me kusht për Florin Besimin dhe Artan Etemin, drejtorë të Spitalit klinik të Tetovës, ndërsa personi juridik ISHP Spitali klinik është shpallur fajtor për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Gjykata më pas vendosi të lirojë mjekun Boban Vuçevskin dhe Spitalin Klinik për veprën penale “mosveprim sipas rregullave shëndetësore”.
Ministër i Shëndetësisë kur ndodhi tragjedia ishte Venko Filipçe. Ai dha dorëheqje menjëherë pas tragjedisë, por atëherë kryeministri Zoran Zaev nuk e pranoi. Në një intervistë për Fokus të publikuar në fund të muajit të kaluar, Filipçe tha se ndërgjegjja e tij është e pastër.
Në tetor 2021 Pas ekspertizës së MPB-së, Prokuroria ka njoftuar se zjarri në objektin modular është shkaktuar nga një kabllo zgjatuese e djegur, në të cilën ishte i lidhur defibrilator – reanimues, mbushës për celular dhe një pajisje tjetër. Mirëpo, Laboratori i Gazetarëve Hulumtues (IRL) në gusht të vitit të kaluar publikoi një dokumentar të titulluar “Vrasja në Tetovë”, në të cilin prezantoi njohuri dhe pretendime për lëshime në ndërtimin e spitalit modular.
Në dokumentar pohohej se jetët do të ishin shpëtuar nëse do të respektohej Ligji i Ndërtimit dhe Ligji për Shëndetin. Në atë rast do të ishin paraparë materialet e duhura dhe do të ishte projektuar një konstruksion i përshtatshëm sipas standardeve minimale teknike për mbrojtje nga zjarre dhe shpërthime në një objekt ku zhvillohet veprimtari mjekësore. Sipas hetimit të atëhershëm të IRL-së, ekspertët gjermanë dhe eksperti elektroinxhinier maqedonas i gjetën shkaqet e vërteta të zjarrit në konstruksionin e papërshtatshëm dhe instalimin elektrike që ishin realizuar keq. Instalimi elektrik i instaluar nga kontraktuesi BRAKO është bërë në mënyrë të paligjshme dhe të parregullt, pa projekt dhe nga një punonjës i një kompanie pa licencë.
