Trembëdhjetë të vdekur dhe dhjetëra të lënduar gjatë një fatkeqësie autobusi në Vietnam

TË FUNDIT

Trembëdhjetë persona e humbën jetën pasi që një autobus doli nga rruga në afërsi të një parku nacional në qendër të Vietnamit, lajmëruan sot mediumet shtetërore.

Autobusi transportonte një grup personash, të cilët para 30 viteve kishin kryer maturën në qytetin e afërt bregdetar Dong Hoi.

Parku nacional, Fong Na-Ke Beng, destinacioni i tyre për ritakim, është i njohur për shpellën më të madhe në botë, si dhe lumenjtë e pastër të kaltër dhe malet shkëmbore.

Autobusi ishte në afërsi të shpellës kur rëshqiti nga rruga. Pamundësia për sinjal telefonik i pengon përpjekjet për shpëtim.

Përfaqësuesi lokal Tran Kvang Vu deklaroi se “hetimi preliminar tregon se së paku 13 persona e kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë janë lënduar”.