Me Propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria solli vendim për ndryshimin e vendimit për çmimet maksimale për shitje të frutave dhe perimeve në tregun me pakicë. Kështu, çmimi i fasules nga 75 u ngrit në 95 denarë për kilogram, por në treg realiteti është ndryshe. Në Bit Pazar tregtarët ankohen se çmimet e përcaktuara nga qeveria janë të pakuptimta dhe se po bëhen keqpërdorime nga ana e doganës. Sipas tyre, e vërteta është se fasulja asnjëherë nuk ka qenë 75 apo 95 denarë, por 150 deri 350 denarë për kilogram.
-Ata kanë thanë 70 denarë pasuli, kur ka qenë 70 denarë pasuli? Pasuli dhe orizi kanë qenë më të shtrenjtë por Qeveria çfarë bën nuk e di, ideja e tyre çka mendojnë…
-Ku ka groshë 75 denarë. 90 denarë bananet, e 75 denarë grosha. Kush ta bën ty groshën për 75 denarë. Në vazhdoftë çmimin e ri në mot e ke 300-400 e paguan. Nuk ta bën ty tetovari me ta dhënë për 150 denarë. Kur ta marr unë 150, këtu e vendos 200 për të fituar. Kjo tezgë duhet të paguhet.
-Edhe vet e kanë gjetur gabimin se ku është, në doganë. Atje e marrin 57 denarë nuk di çfarë dallavere bëjnë pastaj këtu e shesin pa hesap. 145 denarë e blej, e ai na thotë ta shesim 75.
Siç njoftojnë nga Ministria e Ekonomisë, ky vendim erdhi pas konsultimeve me importuesit më të mëdhenj të produkteve ushqimore në Maqedoni. Në këtë vendim gjithashtu janë marrë parasysh rrethanat e harxhimeve në doganë ndërsa rritja e çmimeve vjen edhe për shkak festës së Pashkës, Ramazanit dhe Bajramit. Ministria e Ekonomisë ka paralajmëruar se do të vazhdojnë kontrollet e inspektorëve me qëllim që të mos dëmtohen qytetarët dhe buxheti i shtetit. Qëllimi është që të shkatërrohet ekonomia gri dhe të nxitet prodhimi vendor.