Tre zyrtarët e VLEN-it nuk u ndaluan të futen në Shqipëri! Policia Shqiptare: Pengesë kishte vetëm për një person tjetër që ishte me ta

TË FUNDIT

Autoritetet shqiptare nuk i kanë penguar tre zyrtarët e VLEN-it për t’u futur dje në Republikën e Shqipërisë, por pengesë ka qenë vetëm një person i katërt që ka qenë me ta dhe ka pasur pengesë ligjore për t’u futur në Shqipëri. Ky është sqarimi që dha Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit shqiptar, Skender Hita, rreth rastit të djeshëm të Bekim Qokun, Adnan Azizin dhe Hasim Murtezanin.

“Dje në pikën kufitare të Qafë Thanës janë paraqitur katër shtetas me qëllim për të kaluar në kufi. Tre prej tyre dispononin edhe pasaporta diplomatike dhe u është bërë me dije që ata mund të vazhdonin, por një person i shoqëruar së bashku me ta, i cili kishte pengesa të ligjshme në kufi, nuk ka mundur të udhëtojë drejt Republikës së Shqipërisë, në këtë kuadër, të katërt personat nuk kanë pranuar që të vazhdojnë udhëtimin dhe janë kthyer për në Maqedoninë e Veriut”, tha Skender Hita, drejtori I Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Shqiptar.

Edhe deputeti Bekim Qoku e konfirmoi se janë kthyer për shkak se nuk kanë dashur ta lënë vetëm personin e katërt që ka qenë me ta.

“Në momentin që na u komunikua që njëri nga bashkudhëtarët tanë i refuzohet hyrja, ne vendosëm të kthehemi. Ende nuk e kemi të qartë pse ndodhi kjo. Ndërkohë ne e dimë që ka disa ndalesa, refuzim-hyrja që janë shqiptuar nga shteti shqiptar, kryesisht për shqiptarë nga Maqedonia e veriut, dhe kjo na bën tejet të zemëruar dhe indinjuar se pse ndodh kjo”, u shpreh Bekim Qoku, deputet i VLEN-it.

Nga ajo që tha deputeti tjetër, Adnan Azizi, zyrtarët paraprakisht kanë dëgjuar nga aktivistët se kanë ndalesa për t’u futur në Shqipëri, gjë që siç tha, nuk e ka besuar se mund të ndodh me njerëz zyrtarë. Kësaj ngjarjeje, ai i dha edhe ngjyrë politike, duke aluduar tek mbështetja e protestave në Shqipëri, si dhe mbështetja që është dhënë për protestat e studentëve në Maqedoni.

“Është vërtetë situatë absurde, ka ndodhur e kundërta, që Shqipëria është përzier duke kërkuar ndihmë BDI-ja nga përfaqësues zyrtar të shtetit shqiptar. Kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla ka dalur hapur me përkrahje të protestës të organizuar nga BDI, një protestë absurde, që s’ka të bëjë me interesa kombëtare. Pastaj edhe ambasadori i Shqipëri ka dalë hapur me organizatorët, ka bërë edhe foto, i ka mbështetur, pastaj edhe ata që erdhën edhe nga Shqipëria dhe Kosova, i ka pritur në ambasadë, por ne asnjërin nga ata nuk e kemi denoncuar, as s’kemi kërkuar që shteti t’i shpallë non-grata”, theksoi Adnan Azizi, deputet i VLEN-it.  

Për ngjarjen me reagim zyrtar doli edhe partia VLEN, duke kërkuar nga autoritetet e Shqipërisë, se nëse ka ndalesë për zyrtarët e saj, të dilet me dokumente zyrtare se kush e ka marrë vendimin, mbi çfarë baze ligjore dhe për cilat arsye konkrete. Nga VLEN thonë se marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të ndërtohen mbi transparencë, respekt institucional dhe komunikim të qartë, jo mbi ndalesa të pashpjeguara dhe procedura që lënë vend për dyshime.