Administrata e presidentit Xho Bajden po përgatit projekt-ligj të ri me vlerë rreth tre trilionë dollarë për zhvillimin e infrastrukturës dhe punësimeve të reja, i cili përfshin politika të tilla prioritare të brendshme si falas kolegje lokale dhe kopshte, si dhe zhvillimin e burime të ripërtëritshme të energjisë, njoftoi mbrëmë “Uashington Post”.
Projekt-ligji i ri pritet të merret në konsideratë pasi të ketë përfunduar shpërndarja e paketës pandemike prej 1,9 trilionë dollarë për të ndihmuar popullsinë dhe ekonominë e prekur nga pandemia.
Plani trilion dollarësh për zhvillimin e infrastrukturës, energjinë e rinovueshme dhe krijimin e vendeve të punës është pjesë e premtimit të fushatës së Bajdenit me agjendën “rindërtim më të mirë”.
Projekt-ligji, nëse vihet në rendin e ditës në Kongres, pritet të sfidohet me zë të lartë nga republikanët, shumë më me zë se paketa e ndihmës pandemike, pasi parashikon rritje të taksave, njofton gazeta.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Xhenifer Psaki deklaroi sot se “presidenti Bajden dhe ekipi i tij po shqyrtojnë një sërë mënyrash për të investuar në familjet punëtore dhe për të reformuar sistemin e taksave për të shpërblyer punën, jo pasurinë”.
“Bisedimet për këtë janë duke vazhduar, është ende herët të spekulohet mbi propozimet e ardhshme ekonomike dhe nuk pasqyron pikëpamjen e Shtëpisë së Bardhë”, tha ajo.
Miç Mekonell, lideri i pakicës republikane në Senat, mbrëmë nga foltorja porositi se “i ashtuquajturi propozim i infrastrukturës mund të ishte në të vërtetë kalë i Trojes për rritje të mëdha taksash dhe politika të tjera të majta për të vrarë vendet e punës”.
