Tre kandidatë për të parin e LSDM-së! Filipçe, Petrovska dhe Despotovski dorëzuan kandidaturën e tyre

TË FUNDIT

Tre kandidatë për postin e kryetarit të LSDM-së për zgjedhjet e 30 qershorit. Në selinë e partisë sot paradite kandidaturat e tyre i kanë dorëzuar ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ish-ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe kreu i Agjencisë për investime të huaja, Jovan Despotovski. Që të tre kandidatët kanë bërë të ditur se kanë programe për unifikimin e anëtarësisë, por edhe për ta rikthyer partinë në këmbë. Në deklaratën e tij, Filipçe theksoi se kandidaturat e sotme simbolikisht nënkuptojnë fillim të reformave, se tani partia është në gjunjë, por do të ringritet. Megjithatë, ai nuk e fshehu se ka marrë mbështetje të madhe nga ish-kryetari, Zoran Zaev.

Kam komunikim të shkëlqyer me të gjithë anëtarët e partisë dhe mendoj se ky është një nga faktorët që do të ndikojë që të jepen rezultate të shpejta, pra bashkim i shpejtë. Dëgjoj shumë komente në lidhje me mbështetjen nga Zoran Zaev, nëse zgjidhem kryetar do të dëshmoj në një kohë shumë të shkurtër se do të udhëheq plotësisht me integritetin dhe dinjitetin tim. Për mua flet mbi të gjitha fakti që kam raporte të shkëlqyera me Zoran Zaev. Kam marrëdhënie të shkëlqyera edhe me të tjerët, tha Filipçe.

Kandidate zyrtare në garë është edhe ish-ministrja e mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska. Si anëtare aktive e LSDM-së për 27 vite, ajo pret përkrahje edhe nga anëtarësia partiake, ndërsa ka publikuar manifest për ripërtëritjen dhe bashkimin e LSDM-së.

“Asnjë shtet, veçanërisht Republika e Maqedonisë së Veriut, nuk ka nevojë për një opozitë të dobët ose aspak opozitë. Prandaj është sfidë për Lidhjen Socialdemokrate para së gjithash që të korrigjohet, të vazhdojë rrugën e ideologjisë së LSDM-së. Unë do të bëj thirrje për bisedë, do të bëj thirrje për diskutim, asnjë arsye për këtë disfatë që kemi përjetuar tani nuk duhet të mbetet e fshehur”, deklaroi Petrovska.

E në “5 minuta para orës 12” duke dërguar simbolikë për situatën në parti, edhe Jovan Despotovski dha deklaratë para simbolit të tërmetit katastrofal në Shkup. Tha se ashtu siç u ngrit qyteti nga hiri, edhe LSDM do të ngrihet në një parti të fortë. Thirrja e tij për një deklaratë të përbashkët në të cilën të gjithë ata që do të humbasin në garën për kryetar të LSDM-së të heqin dorë nga të gjitha funksionet e ardhshme partiake nuk u pranua nga Filipçe dhe Petrovska, duke e vlerësuar atë si një mënyrë tjetër për përçarje. Despotovski paralajmëroi edhe Qeveri në hije.

Ne do të formojmë Qeveri në hije që do të japë alternativën e saj, do t’u japë qytetarëve mundësinë të mendojnë dhe të krahasojnë. Ne do të jemi opozitë konstruktive në Parlament, do të jemi opozitë konstruktive në shtet, nuk do të kritikojmë me çdo çmim, kjo është gjithashtu diçka që do të na dallojë nga praktikat e mëparshme në parti dhe në shtet. Sot, duke parashtruar kandidaturën time, do të parashtroj dhe deklaratë që kam premtuar se nuk do të pranoj asnjë post në parti nëse nuk zgjidhem kryetar”, u shpreh Despotovski.

Deri më tani kandidaturë për kryetar të partisë ka dorëzuar edhe Zllatko Ristovski nga Manastiri, aktivist i LSDM-së. Stefan Bogoev, nënkryetari në dorëheqje i LSDM-së, ka paralajmëruar kandidaturën e tij më herët, por edhe pse ende nuk e ka dorëzuar kandidaturën, afati skadon nesër.