Deri më 1 shtator do të pritet se cili do të jetë vendimi i Bashkimit Evropian për problemin me transportuesit e Ballkanit perëndimor, ndërsa nëse është i papranueshëm, do të pasojnë protesta dhe bllokime të kufijve. Ky është përfundimi nga takimi i sotëm i grupit punues të përfaqësuesve nga sektori i transportit nga Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Biljana Muratovska nga MAKAM Trans tha se pas përfundimit të protestës, e cila u mbajt në janar, kishin marrë premtim nga BE-ja se do të ketë plotësim të strategjisë së vizave, por se kjo nuk po respektohet.
“Dhe kjo është gjëja më e çuditshme, domethënë pranojnë se jemi profesionistë, se nuk jemi migrantë, nuk jemi kriminelë, ndërsa më tej vazhdojnë të na i llogarisin ditët. Kjo është diskriminim, sepse të gjitha dokumentet, të cilat janë nënshkruar në bazë dypalëshe me Bashkimin Evropian, shkruajnë se duhet të ketë lëvizje të lirë të fuqisë punëtore, lëvizje të lirë të mallrave, ndërsa ne përballemi me pengesa”, theksoi Biljana Muratovska, MAKAM TRANS.
Sipas përfaqësuesit të Serbisë, Nexho Mandiq, llogaritjet për qëndrimin në vendet e zonës Shengen nuk duhet të bëhen sipas ditëve, por sipas orëve të kaluara, sepse, siç u theksua, nuk mund që për 5 minuta qëndrim t’i llogaritet dikujt një ditë e plotë. Ai thotë se një pjesë e transportuesve tashmë nuk duan të udhëtojnë dhe të kalojnë kufijtë, nga frika se do të deportohen dhe gjobiten.
“Kërkojmë 90 ditët tona të plota dhe nëse Bashkimi Evropian pranon të na i numërojë ditët e plota, përkatësisht të shprehura në orë, minuta, madje edhe sekonda, atëherë problemi është zgjidhur ose përkohësisht i zgjidhur. Kur kjo të llogaritet sipas kohës reale të kaluar, atëherë në të vërtetë bëhet fjalë për një periudhë prej 65 deri në 85 ditësh, dhe në asnjë mënyrë nuk do të thotë se kemi shkelur rregullat, që të na ndalohet hyrja, deportimet, gjobat dhe gjithçka tjetër”, pohoi Nexho Mandiq, kryetar i Shoqatës së Transportuesve të Serbisë.
Nëse nuk arrihet marrëveshje me BE-në dhe nuk gjendet ndonjë zgjidhje nga shtatori, transportuesit nga rajoni kërcënojnë me bllokim të plotë të pikave kufitare, ndërsa është e mundur që protestat të radikalizohen.
“Nëse vijnë protestat, protestat e mëparshme i ndërpremë me premtim, këtë herë, nëse shtyhemi deri në mur dhe dalim në kufij, nuk do të tërhiqemi deri në një zgjidhje konkrete, përkatësisht deri në zbatimin e zgjidhjes. Pra, nuk do të lejojmë që përsëri të mashtrohemi”, deklaroi Gjorgje Deshnjak, përfaqësues i transportuesve të Malit të Zi.
Zijad Shariq, përfaqësues nga Bosnja e Hercegovina, kërkon nga BE-ja të ketë mirëkuptim dhe, nëse është e nevojshme, t’i ndryshojë rregulloret.
“Imagjinoni dikush t’ju numërojë për 5 minuta një ditë të plotë, ose për 10 minuta t’ju numërojë një ditë të plotë. Nëse për këtë Komisioni Evropian do të kishte mirëkuptim, ne tashmë do të kishim bërë njëfarë përparimi. Çdo ligj i Bashkimit Evropian që është miratuar qoftë para 10-20 vitesh mund të ndryshohet, normalisht, nëse dikush ka mirëkuptim për ne”, pohoi Zijad Shariq, Shoqata e Transportuesve të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Dje skadoi afati i vendosur, brenda të cilit Bashkimi Evropian duhej të gjente një zgjidhje të përkohshme, por sipas përfaqësuesve të transportuesve, megjithatë po lënë edhe rreth dhjetë ditë, ndërsa nga 1 shtatori do të kërkojnë që problemi të tejkalohet. Transportuesve rajonalë iu bashkuan edhe përfaqësues nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët thonë se edhe transportuesit e tyre kanë të njëjtat probleme në pikat kufitare.
