Zyrtarët e fushatës të presidentit Donald Tramp kanë kërkuar rinumërim të votave në Xhorxhia, një ditë pasi zyrtarët e këtij shteti certifikuan rezultatin sipas të cilit demokrati Xho Bajden është fitues i garës në këtë shtet. Ekipi ligjor i presidentit vazhdon të pretendojë për manipulime në shkallë të gjerë, por pa ofruar prova lidhur me këto pretendime.
Rezultatet e Xhorxhias treguan se Bajden ka mundur Trampin me 12,670 vota më shumë, nga rreth 5 milionë vota gjithsej, ose me 0.25 për qind më shumë krahasuar me rivalin e tij. Ligji shtetëror lejon një kandidat të kërkojë rinumërim nëse diferenca me fituesin, është më pak se 0.5 për qind.
Guvernatori republikan Brajan Kemp zyrtarizoi listën e shtetit me 16 anëtarë të kolegjit elektoral që do të votojnë për të zgjedhur presidentin.
Ndërkohë zyrtarët e fushatës së Trampit i dërguan një letër sekretarit të Shtetit duke i kërkuar rinumërimin.
Në një deklaratë të ekipit ligjor të Trampit shkruhej se “sot zyrtarët e fushatës së Trumpit paraqitën një kërkesë për rinumërim në Xhorxhia. Ne jemi përqendruar të sigurohemi që është ndjekur çdo aspekt i ligjit shtetëror të Xhorxhias dhe Kushtetutës amerikane në mënyrë që çdo votë e ligjshme të numërohet. Presidenti Tramp dhe fushata e tij vazhdojnë të insistojnë në një rinumërim të ndershëm në Xhorxhia, i cili duhet të përfshijë përputhjen e nënshkrimeve si dhe masa të tjera mbrojtëse jetike”.
Numërimi do të bëhet duke përdorur makineri skanuese që lexojnë fletëvotimet dhe paraqesin rezultatet e votimit. Punonjësit e zgjedhjeve kanë bërë tashmë një rinumërim të plotë me dorë të të gjitha votave të hedhura në garën presidenciale. Por masa e re buroi nga një kërkesë e detyrueshme për një rivlerësim të votave dhe që sipas ligjit nuk konsiderohet një rinumërim zyrtar.
