Tramp ka marrë koktej antitrupash që janë zhvilluar duke përdorur qeliza nga fetusi i abortuar

TË FUNDIT

Një nga ilaçet që presidenti amerikan, Donald Tramp i ka marrë gjatë trajtimit të koronavirusit u krijua duke përdorur qelizat njerëzore të marra nga fetusi i abortuar, shkruan “Gardian”.

Ilaçi është koktej i antitrupave monoklonalë të zhvilluar nga “Regeneron”, Tramp mori infuzion prej tetë gramësh dhe ilaçi nuk është i aprovuar.

Qelizat burimore që përdoren për të zhvilluar ilaçin njihen si qeliza HEK-293T dhe fillimisht janë nxjerrë nga veshkat e embrionit pas abortit të kryer në Hollandë në vitet e ’70 të shekullit të kaluar.

Tramp ka kërkuar në mënyrë të përsëritur të kufizojë mundësinë e abortit, ndërsa një nga përpjekjet e tij të fundit është të nominojë gjykatësen konservatore katolike Ejmi Koni Baret për Gjykatën e Lartë.

Partia Republikane e Trampit kundërshton hulumtimin e qelizave burimore të embrioneve dhe bën thirrje për ndalimin e financimit federal për kërkime të tilla.

Tramp ka kufizuar kërkime të tilla në vitin 2019, kur administrata e tij financoi shkencëtarët që punojnë në studime të tilla.

“Ne kemi ndaluar financimin federal për hulumtimin e indeve të fetusit. Ne po marrim qëndrim kundër lobistëve të abortit si kurrë më parë”, tha Tramp në fillim të këtij viti.

Zëdhënësi i “Regeneron” Aleksandra Bouvi tha se kompania nuk i konsideronte qelizat diskutabile HEK-293T si ind.

“Qelizat shpërndahen lirshëm në laborator dhe ne nuk e konsiderojmë se ato që janë në dispozicionin tonë sot, janë indi i fetusit, përndryshe nuk do të kishim përdorur”, deklaroi Bouvi.

Zhvillimi i koktejit prej 450 milionë dollarësh u mbështet nga Barda, institucion brenda Departamentit të atjeshëm të Shëndetësisë, i ngarkuar me kërkimin dhe zhvillimin biomjekësor. Nuk është në dispozicion për opinionin dhe deri tani është testuar vetëm tek 275 persona.