Tramp dhe Bajden e përshëndetën lajmin për vaksinën e “Moderna”

TË FUNDIT

Presidenti aktual, Donald Tramp dhe i sapozgjedhuri, Xho Bajden sot e përshëndetën lajmin e kompanisë farmaceutike “Moderna” nga Kembrixh në shtetin federal Masaçustets, se vaksina e saj kundër Kovid-19 ka efikasitet prej 94.5 për qind.

“Është paralajmëruar edhe një vaksinë, këtë herë nga kompania farmaceutike “Moderna”, 95 për qind efektive. Unë u them të gjithë “historianëve” të mëdhenj – Ju lutem të mbani mend se këto zbulime të mëdha, të cilat do ta ndalojnë “murtajën kineze”, ndodhën gjatë mandatit tim presidencial” deklaroi Presidenti aktual amerikan, Tramp.

Më parë, Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Bajden konfirmoi se edhe një tjetër vaksinë e madhe po del nga laboratori i kompanisë “Moderna”.

“Lajmi i sotëm për vaksinën e dytë është edhe një arsye për shpresë. Ajo që është e vërtetë për vaksinën e parë, vlen edhe për të dytën: Kemi disa muaj për të pritur. Deri atëherë, amerikanët duhet të vazhdojnë t’i përmbahen masës së distancës fizike dhe të mbajnë maskë mbrojtëse për ta kontrolluar përhapjen e korona virusit”, bëri thirrje Bajden.