Administrata Tatimore e Kosovës(ATK) mbajti sot seminarin e radhës në Prishtinë me tatimpaguesit për pakon e re fiskale me qëllim që të jetë më afër tyre për t’i përmbushur detyrimet tatimore në mënyrë vullnetare. Disa prej tatim paguesve u deklaruan se këto trajnime të cilat po mbahen nga ATK-ja janë të vonuara, ngase, sipas tyre, është dashur të mbahen para se ligji i ri fiskal të hyjë në fuqi.
Menaxheri i Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve në ATK, Sami Salihu, për KosovaPress deklaroi se janë duke i bërë sqarimet për Pakon e re fiskale me tatimpaguesit, në mënyrë qëdeklaratat tatimore të jenë korrekte.
Ai theksoi se bizneset duhet ta zbatojnë Ligjin e ri fiskal pasi, sipas tij, ai është në favor të tyre.
Tatimpaguesi Vehbi Pireva në deklaratë për KosovaPress shprehu pakënaqësinë për vonesat e këtyre trajnimeve me tatimpaguesit.
Sipas tij, ata është dashur të njoftohen me ligjin e ri para se ky ligj të hyjë në fuqi.
Ai theksoi se është kohë e shkurtër për të vlerësuar se sa po zbatohet ky ligj, për faktin se vetëm sa ka hyrë në fuqi pakoja e re fiskale.
Pritjet e komunitetit për këtë ligj kanë qenë më të mëdha sesa që janë bërë me këto ndryshime. Shumica e ndryshimeve, sipas tyre, janë kozmetike.
Kontabilisti i cili mori pjesë në seminar Isuf Dumani, deklaroi se ka disa risi në këtë pako. Njëra prej këtyre është tatimi i mbajtur në burim për personat jo afarist, i cili vlerësohet të jetë adekuat.
Kontabilisti vlerësoi se në parim ligji i ri fiskal ka ndryshime, por çka është interesant për të, janë disa ridefinime dhe disa sqarime që janë më të mira sesa në ligjin e kaluar./
