Trajnime për administratën, Mickoski: Administrata s’do të jetë më plaçkë partiake

TË FUNDIT

Administrata publike nuk do të jetë më plaçkë partiake. Do të jetë profesionale, efikase dhe do të punojë për qytetarët. Ju jeni themeli i shtetit, ndërsa koha e Maqedonisë është tani, tha kryeministri Hristijan Mickoski nga cikli i parë i trajnimeve për nëpunësit administrativë.

“Ne jemi gjenerata që duhet ta nxjerrë shtetin nga errësira e partizimit dhe ta çojë në dritën drejt së ardhmes evropiane. Ju bëj thirrje – mësoni, pyesni, diskutoni. Jini të guximshëm të fusni praktika të reja. Jini ata që do ta lini administratën më efikase, më të ndershme dhe më të fortë se kurrë. Së bashku do të krijojmë një sektor publik që nuk do të jetë vetëm aparat i shtetit, por motor i zhvillimit, partner i qytetarëve dhe garant i së ardhmes evropiane të atdheut”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian është më shumë se harmonizim i ligjeve – ajo është krijim institucionesh që punojnë sipas standardeve evropiane. Puna juaj është fytyra e shtetit, qëndrimi juaj është përshtypja që qytetarët e marrin për institucionet, tha Mickoski.

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, tha se administrata është qarkullimi i gjakut të shtetit dhe pa të, shteti nuk do të mund të funksiononte asnjë ditë. Por, kot na është edhe Akademia për nëpunës publikë, nëse nuk ka kush të mësojë në të, tha ai.

“Kot na janë trajnimet nëse të rinjtë nuk duan të bëhen pjesë e administratës publike. Ky është sfidë e madhe me të cilën, për fat të keq, përballemi sot. Gjithnjë e më shumë të rinj e shohin administratën si diçka që nuk ofron perspektivë. Jo vetëm për shkak të pagave të ulëta, por sepse me vite në institucione mungonte sistem trajnimi, avancimi, njohjeje të cilësisë. Dhe kjo është realitet që nuk guxojmë ta injorojmë”, theksoi Goran Minçev, Ministër i Administratës Publike.

Ky cikël i parë i trajnimeve, me 600 pjesëmarrës nga niveli lokal dhe qendror, është sinjal i qartë se kjo Qeveri nuk ka frikë nga ndryshimet. Maqedonia është pjesë e familjes evropiane dhe reformat në administratën publike janë pjesë kyçe e këtij procesi – thanë folësit. Përveç trajnimit në Shkup, në muajt e ardhshëm do të realizohen edhe trajnime për administratën nga rajoni lindor, Pollogu dhe Pellagonia.