Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës fillon sot trajnimin treditor kushtuar diplomacisë ekonomike. Synimi i së cilës është, që përmes këtij trajnimi zyrtarët dhe diplomatët e MPJ-së të përfitojnë nga përvojat e ekspertëve të huaj, të shqyrtojnë eksperiencat e deritashme në diplomacinë ekonomike si dhe orientimet e mëtejme.
Sipas një njoftimi për media të kësaj ministrie, trajnimi mbahet për zyrtarë dhe diplomatë të MPJ-së, të cilët janë të angazhuar me çështje ekonomike. Ku përveç diplomatëve nga ambasadat e Republikës së Kosovës në rajon, janë ftuar edhe përfaqësues nga katër konsullata si dhe nga ambasada në disa vende evropiane me të cilat Kosova ka më shumë bashkëpunim ekonomik. Trajnimi është dizajnuar në bashkëpunim me departamentin përkatës të MPJ-së.
Gjatë tri ditëve të seminarit do të trajtohen çështje teorike lidhur me rëndësinë e diplomacisë ekonomike si dhe aspekte praktike të bashkëpunimit të diplomacisë me ekonominë e Kosovës. Për të cilat do të ligjërojnë ekspertë ndërkombëtarë, profesorë e diplomatë me përvojë si dhe zyrtare nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe nga komuniteti i biznesit. /21MEDIA
