Trajneri i reprezentacionit Paunoviç, ura lidhëse e volejbollisteve të Maqedonisë me klubet ndërkombëtare

TË FUNDIT

Trajneri serb Stevan Paunoviç, që nga viti 2022 është në krye të përfaqësueses së femrave të Maqedonisë në volejboll. Me një përvojë të pasur në Serbi, Rumani, Libi, Finlandë dhe së fundmi Sllovaki, ai është bërë figurë kyçe në zhvillimin e volejbollit të femrave në vend.

Paunoviç ndihmon vajzat e reprezentacionit me stërvitje të veçanta, duke u fokusuar në përmirësimin teknik dhe fizik sipas standardeve evropiane. Përveç anës sportive, ai ka ndihmuar lojtaret edhe në ndërtimin e karrierës ndërkombëtare, duke u mundësuar kontakte me menaxherë të huaj që i kanë ndihmuar të transferohen në klube jashtë vendit. Falë këtij angazhimi, gjashtë volejbolliste të reprezentacionit tashmë luajnë në kampionate evropiane.

Pas dy sezoneve të suksesshme në Finlandë me klubin LP-Vampula, ku u shpall “Trajner i Vitit 2024” dhe “Skuadra e Vitit 2024”, Paunoviç këtë sezon ka marrë drejtimin e VK Nove Mesto nad Vahom në kampionatin sllovak për femra “Extra Liga”. Ekipi e nisi sezonin me fitore të pastër 0–3 në sete, duke dëshmuar formë të shkëlqyer.

Në këtë skuadër, Paunoviç është bashkuar me volejbollisten nga Tetova, Erjona Jonuzi, organizatoren e përfaqësueses së Maqedonisë, e cila po zhvillon sezonin e saj të dytë në “Nove Mesto nad Vahom”. Pas një ndërprerjeje për shkak të lëndimit në gjurin e majtë para 8 muajsh. Jonuzi është rikthyer në ekip dhe është përzgjedhur si kapitene e ekipit dhe është pjesë kyçe e projektit të ri të klubit dhe trajnerit Stefan Paunoviç.

Nën drejtimin e Paunoviçit, përfaqësuesja e Maqedonisë për femra po fiton identitet të ri, disiplinë dhe qasje moderne ndaj lojës.
Stevan Paunoviç mbetet shembulli i trajnerit që nuk ndalet vetëm te rezultati, por ndërton ura, zhvillon talente dhe krijon rrugë reale drejt suksesit ndërkombëtar.