Trajanov kërkon harmonizim me konsensus të plotë/ Besa “pro” propozimit francez: Të hiqet “20%”

TË FUNDIT

Kryetari i Lidhjes demokratike, Pavle Trajanov në takimin e djeshëm te Kovaçevski kërkoi që për propozimin francez të miratohen konkluzione nëse në Kuvend merr përkrahje me konsensus të plotë, përkatësisht nëse e përkrahin të gjitha partitë duke e përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në. Njëkohësisht ai insiston që qeveria ta përkthejë dhe ta publikojë të gjithë tekstin në gjuhën maqedonase, së bashku me Protokollin. Trajanov kërkon që të vendoset reciprocitet, përkatësisht me ndryshimet kushtetuese Këshilli i BE-së ta detyrojë Bullgarinë që ta njohë pakicën maqedonase.

“Unë propozoj që të hapet një diskutim në parlament dhe mendoj se për atë dalëngadalë do të ndërtohet një konsensus dhe të ketë një komision tjetër parlamentar i përbërë nga të gjitha partite politike që të formulojë përfundime. Kështu që unë dua që VMRO-DPMNE të jetë pjesë e këtij procesi. Nëse parlamenti vendos, por unë flas që të ketë një konsensus për të pranuar korrigjimet për të cilat  po flasim, mirë, nëse parlamenti vendos të refuzojë këtë propozim të fundit francez, përgjegjësinë pro ose kundër do ta marrin të gjithë faktorët e rëndësishëm të jetës politike në Maqedoni.”- deklaroi Pavle Trajanov, Lidhja Demokratike.

Sipas Fadil Zendelit nga Besa, propozimi francez është i pranueshëm edhe pse kanë refuzuar që të marrin pjesë në takimin konsultativ me kryeministrin Kovaçevski. Thotë se kur do të hapet Kushtetuta për vendosjen e bullgarëve, edhe ata do të kenë kërkesa të tyre për fshirjen e formulimit 20%.

“E pranojmë propozimin e presidencës franceze ose të BE-së, mendojmë se vendi duhet ta vazhdojë rrugën e saj euroatlantike. Ne si Lëvizje Besa mendojmë se kur të hapen ndryshimet e Kushtetutës, nëse ndodh kjo, se do të kemi kërkesa tona në lidhje me formulimin kushtetues 20% ku nënkuptohet se bëhet fjalë  për gjuhën shqipe dhe në Kushtetutën të mos shkruajë 20% por të shkruajë gjuha shqipe.”- pohoi Fadil Zendeli, Besa.

Kryetari i PRSD, Goran Misovski thotë se mendimi në partinë e tij është pozitiv në lidhje me këtë propozim por se vendimin përfundimtar do ta sjellin në seancën e Bordit ekzekutiv  që do të mbahet sot në mbrëmje. Kërkuam qëndrim edhe nga PLD, kryetari i partisë Goran Milevski na tha se ende janë në fazë të harmonizimit të qëndrimeve të tyre dhe pasi e sjellin vendimin do ta njoftojnë.