Grevat në Itali ditën e mërkurë kanë paralizuar transportin publik në pjesën më të madhe të qyteteve.
Ndërprerja e shërbimeve të autobusëve, trenave, taksive dhe trageteve nisi që herët në mëngjes, në periudha të ndryshme kohore.
Në Romë dhe Bari, sindikalistët e federatave lokale të transportit janë zotuar të ndërpresin punën deri në orën 16:30. Në Milano, Firencë dhe Torino ndalesat do të nisin nga ora 18:00 e mbas ditës deri në orën 22:00 të mbrëmjes, ndërsa në Venecie, Napoli dhe Palermo kufizimi i shërbimeve zgjati deri në orën 13:00.
Në sektorin hekurudhor, tramvajet, metrotë apo trenat publikë do të qëndrojnë mbyllur deri në orën 17:00, me përjashtim të atyre të rëndësisë së veçantë.
Shoqatat një ditë më parë nuk arritën kompromis me Ministrinë italiane të Transportit.
Ankesat e tyre kanë të bëjnë me mungesën e rregullave të konkurrencës së drejtë dhe me politikat e dumpingt, që lejojnë operatorët e rinj futen në treg me çmime shumë të ulëta dhe rritin presionin mbi ata ekzistues.
Ndërkohë të premten e 26 korrikut, punonjësit e kompanisë vendëse ajrore “Alitalia” kanë paralajmëruar pezullimin e shërbimeve nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 2 të mesditës, duke u tërhequr nga vendimi i mëhershëm për një grevë 24 orëshe.
Këtë fundjavë parashikohen greva edhe në disa aeroporte evropiane, si ato të Spanjës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës./oranews
