Toshkovski shpjegon tolerancën, ja kur kamera e ‘Safe City’ ju gjobit dhe kur jo

TË FUNDIT

Nga nesër nis zbatimi i sistemit “Qytet i Sigurt”. Nuk do të ketë më paralajmërime për shkelësit, por do të shqiptohen gjoba sipas sistemit që po zbatohet. Ky sistem nuk ka për qëllim ndëshkimin, por rritjen e sigurisë në trafik dhe shpëtimin e sa më shumë jetëve njerëzore, pasi jeta e njeriut nuk ka çmim, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

“Vendosëm tolerancë që ishte në përputhje me legjislacionin ekzistues: 6 km/orë për shpejtësi deri në 100 km/orë dhe 8 km/orë mbi 100 km/orë. Rregullorja, që është në kompetencë të Ministrisë së Energjetikës, në konsultim me ekspertë, profesorë dhe përfaqësues të Ministrisë së Energjetikës dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, u ndryshua dhe hyri në fuqi dje”, sqaroi Toshkovski në RTVM.

Sipas rregullores së re, për shpejtësi deri në 50 km/orë mbetet toleranca prej 6 km/orë. Kjo do të thotë se nëse drejtoni automjetin në një zonë ku kufiri është 30 km/orë dhe lëvizni me 36 km/orë, kamera nuk do ta regjistrojë shkeljen; ajo do ta regjistrojë nga 37 km/orë. Për shpejtësi nga 50 deri në 100 km/orë, toleranca ligjore është 9 km/orë. Kjo do të thotë se në zonë me kufi 50 km/orë, sistemi do të ndëshkojë nëse shpejtësia arrin 60 km/orë. Për kufirin 100 km/orë, toleranca është 12 km/orë, pra do të sanksionoheni nëse lëvizni, për shembull, me 113 km/orë.

Në kuadër të sigurisë në trafik, Toshkovski paralajmëroi edhe një projekt tjetër që do të zbatohet në ditët në vijim me mbështetjen e Telekomit të Maqedonisë.

“Për të gjitha shkeljet që bëhen brenda tolerancës, për shembull nga 30–36 km/orë ose nga 50–59 km/orë, Ministria e Punëve të Brendshme do të dërgojë mesazhe informuese për qytetarët që kanë tejkaluar shpejtësinë, për t’ua tërhequr vëmendjen se edhe pse nuk ka gjobë, ata kanë tejkaluar shpejtësinë e lejuar. Sepse, nëse dikush drejton mjetin me 55 km/orë aty ku lejohet 50 km/orë dhe shkakton lëndime të rënda te një këmbësor, do të mbajë përgjegjësi penale”, theksoi ministri.

Toshkovski theksoi se një pjesë e të dhënave për pronarët e automjeteve në evidencat ekzistuese mund të jenë të pasakta, për shkak të informatave të gabuara të dorëzuara më herët nga qytetarët ose gabimeve gjatë futjes së të dhënave në sistem. Për këtë arsye, disa qytetarë mund të marrin njoftime ose procesverbale që nuk lidhen me automjetin e tyre apo me shkelje që nuk e kanë kryer.

“Çdo qytetar që vëren mospërputhje në të dhëna ka të drejtë t’i drejtohet cilësdo stacion policor dhe të paraqesë se bëhet fjalë për gabim. Sipas procedurës ligjore, Ministria e Punëve të Brendshme brenda 24 orëve do të kryejë verifikimin dhe korrigjimin e të dhënave, dhe qytetari do të njoftohet se nuk do të ndiqet penalisht nëse nuk e ka kryer shkeljen”, tha ministri.

Ai shtoi se sistemi i ri përfshin edhe një mekanizëm shtesë për mbrojtjen e të dhënave personale. Pas marrjes së SMS-njoftimit për një shkelje, qytetari do të duhet të hapë procesverbalin përmes një linku, ku për shkarkimin e dokumentit do të kërkohet futja e numrit personal. Kjo siguron autentikim shtesë dhe parandalon dërgimin e të dhënave personale te persona të gabuar.

Ministri pranoi se, pavarësisht teknologjisë moderne, mund të ketë gabime teknike për shkak të dritës, kushteve atmosferike apo faktorëve të tjerë që ndikojnë në leximin e targave. Në raste të tilla, qytetarët do të kenë sërish mundësi të kërkojnë korrigjim, i cili do të bëhet në afatin më të shkurtër të mundshëm.

“Nuk ekziston sistem perfekt. Do të ketë gabime, por ato do të korrigjohen. Ky sistem është shumë më i mirë se ai që kishim deri tani dhe synimi i tij kryesor është të shpëtojë jetë dhe të rrisë sigurinë në trafik. Është e rëndësishme që përgjegjësi të mbajë ai që e ka kryer shkeljen”, përfundoi Toshkovski.