Në Gjykatën Penale për rastin e Prokurorisë Publike Speciale “Tortura” sot dëshmuan gazetarja Olivera Trajkovska dhe biznesmeni Orce Kamçev. Dëshmitarët ishin të ftuar nga PPS. Gazetarja Olivera Trajkovska gjatë dëshmisë së saj tha se ditën kritike kur ka ndodhur arrestimi i ish-ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme, Ljube Boshkovski, ajo është takuar me biznesmenin Orce Kamçev dhe se ai i ka thënë se diçka do të ndodhë pas një ore. I pyetur nga prokurori Ljubomir Llape se nëse i kujtohet se kush ia ka përcjellë ketë informacion Kamçevit, Trajkovska tha se Kamçev ka përdorur termin “prijatell” por ajo shton se e ka vërtetuar se ky emërim është për ish-shefin e DSK-së Sasho Mijallkov.
“Kamçev më tha se ka marrë informacion se brenda një ore do të ndodhë diçka. Gjatë bisedës personi që ka dhënë informacionin është quajtur “prijatell”. Edhe pse e përdorim terminin “prijatell” për mua ai është Sasho Mijallkov”, tha Olivera Trajkovska, dëshmitare.
Trajkovska theksoi se bisedat e përgjuara të PPS ku dëgjohet ajo duke biseduar me Kamçevin tha se janë autentike dhe se e ka pranuar këtë edhe gjatë dëshmisë në PPS.
Ndërsa Kamçevit nuk i kujtohet nëse atë ditë ka biseduar saktë në telefon me gazetaren Trajkovska. I pyetur nga prokurori Llape për bisedën telefonike për arrestimin e Ljube Boshkovskit, Kamçev tha se përgjimet telefonike nuk i pranon si autentike sepse të njëjtat janë të montuara. Kamcev shtoi se biseda ka ndodhur sepse arrestimi I Boshkovskit ishte interesant për të gjithë.
“Çdo ditë, 100 herë në ditë bisedoja me 100 njerëz në telefon.Të gjithë kanë biseduar për atë ndodhi. Jam i sigurt se edhe ju keni biseduar për ngjarjen sepse ishte interesante për të gjithë. Nuk është e ndaluar të flitet për krim”, u shpreh Orce Kamçev, dëshmitar.
I pyetur se çka di më shumë rreth arrestimit të Boshkovskit në vitin 2011, Kamçev tha se asgjë më shumë se MPB ka organizuar aksion kundër një funksionari politik i cili ka pranuar mito për të zhvilluar negociata për ndryshimin e emrit dhe asgjë më shumë. Kamçev në fillim të dëshmisë u iu drejtua PPS-së dhe gjykatës se përse në seancën e kaluar u bë gjithë ai teatër për mos ardhjen e tij në seancën për të dëshmuar. Ai shtoi se nuk ka pranuar ftesë nga gjykata për të dëshmuar dhe se ka qenë në udhëtim jashtë shtetit. Rastin gjyqësor e udhëheq gjykatësja Aleksandra Ristevska, ndërsa prokuror është Ljubomir Llape nga Prokuroria Publike Speciale.
Rasti Tortura ka të bëjë me arrestimin brutal të liderit të partisë Të Bashkuar për Maqedoninë dhe ish-ministër i Punëve të Brendshme, Lube Boshkovski, më 6 qershor të vitit 2011, një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. në rastin “Tortura” të akuzuar janë ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov, shefi i njësitit “Alfa” Ivica Antevski-Puki dhe pesë persona të tjerë.
Përgatiti: Valmira Zendeli
