Në këtë parcelë në Radishan të Shkupit, komuna e Butelit po punon në vendosjen e gypave të ujit. Por një banor i kësaj lagje, Faik Zekiri, pretendon se toka është e tij, dhe se posedon dokument që ky vend është blerë prej vitit 1979. Ai thotë se në mëngjes e pranishme ka qenë edhe policia.
“Kryetari i ri i komunës së Butelit Darko Kostovski, ka tentuar këtu dhe ka ngulë këmbët që ta marrë këtë çfarë do të bëjë deri ku do të shkojë nuk e di! Gabim ia ka nisur. Dua t’i informojë të gjithë qeveritarët të marrin masa. Nëse mendojnë që është pronë e shtetit, atëherë nuk kanë nevojë të marrin aq policë”, tha Faik Zekiri – banor i Radishanit.
Fqinji i Faikut, Xhemshit Azemi shprehet se të gjithë ata përreth e dinë se toka është e tij dhe nuk është shtetërore.
“Ne e dimë këtë arë e kujt është, më së pari ka qenë gruaja e Osmanit dhe ia ka autorizuar Osmanit, pastaj ia kanë bërë Faikit, kjo tokë është e këtij, dokument ka, ata duan ta bëjnë tokë shtetërore, nuk e di çfarë të flas më shumë, ne jemi në hall prej këtyre”, u shpreh Xhemshit Azemi – banor i Radishanit.
Nga ana tjetër kryetari i komunës së Butelit Darko Kostovski thotë se kjo parcelë në të cilët kanë filluar punimet, është tokë shtetërore.
“Bëhet fjalë për parcelë të Republikës së Maqedonisë, Komuna ka aktivitete të caktuara me qëllim të sjellë ujë natyral”, deklaroi Darko Kostovski – kryetar i Komunës së Butelit.
Megjithatë Faik Zekiri ka angazhuar avokat, për siç thotë, mos të lejojë t’ia marrin vendin. Ai shton se disa herë ka kërkuar që të bisedojë edhe me kryetarin e komunës së Butelit, mirëpo siç thotë nuk e ka pranuar.
