GRUPI I DEPUTETËVE TË LSDM-SË DHE I PARTIVE POLITIKE TË KOALICIONIT: PRSD, PLB DHE PDT SOT DERI TE KRYETARI I KUVENDIT DËRGUAN KËRKESË PËR TA SHKËRKUAR NIKOLLA TODOROVIN PREJ FUNKSIONIT MINISTËR I SHËNDETËSISË. MEGJITHATË, TODOROVI PËRMES NJË KUMTESE PARALAJMËROI SE MEZI SE PO PRET TË PËRBALLET ME FAKTET E DEPUTETËVE OPOZITARË.
Kërkojmë përgjegjësi nga Nikolla Todorovi për problemet sistematike dhe kaosin e tërësishëm në shëndetësi që po rezulton me pasoja tragjike mbi qytetarët e pacientët, deklaroi sot deputetja e LSDM-së – Jagoda Shahpaska.
Në emër të partisë së saj dhe të partive të koalicionit: PRSD, PLB dhe PDT, Shahpaska tha se ministri Todorov është drejtpërdrejt përgjegjës që shëndetësia e Maqedonisë ka mbërritur në këtë gjendje.
“Nuk ka kuadër të mjaftueshëm mjekësh. Nuk ka pajisje të duhur. Mungon material mjekësor. Qytetarët gjithnjë e më shumë po paguajnë, por po marrin gjithnjë e më pak shërbime si dhe më të këqija. Todorovi duhet të largohet për shkak të politikave të gabuara që i detyruan mjekët të ikin nga shëndetësia publike dhe të ikin nga Maqedonia. Ata mjekë që kanë mbetur në institucionet e shëndetësisë publike janë të stërngarkuar, po paguhen pak dhe janë të lënë pa kushte normale për punë”, tha JAGODA SHAHPASKA – LSDM
Sipas të dhënave që i publikoi LSDM-ja, në shëndetësinë publike në Maqedoni ka 128 gjinekologë, kurse, sipas Eurostat-it, Maqedonia me 229 foshnje të sapolindura është në majë të listës me foshnje të vdekura në Evropë. Mes tjerash, LSDM-ja përkujtoi edhe për projektin e kartelës shëndetësore elektronike i cili shtetit i kushtoi 8 milionë euro, ashtu si edhe për borxhet e institucioneve shëndetësore publike.
“Çdo vit këto borxhe po rriten. Në fund të vitit 2015 kanë vlerën e 3 miliardë denarëve, gjegjësisht 51 milionë euro, ndërsa detyrimet e institucioneve shëndetësore publike janë 70 milionë euro”, tha JAGODA SHAHPASKA – LSDM
Ministri Todorov reagoi me kumtesë dhe shprehu mirënjohje për LSDM-në, siç thuhet në kumtesë, për mundësinë që po i jep shtëpisë ligjvënëse të përballen faktet për atë se si ka qenë gjendja më parë në shëndetësi.
“Me përdorimin e instrumentit “interpelancë”, LSDM-ja do të na mundësojë nga foltorja e kuvendit të pasqyrohet gjendja në shëndetësi dhe me të dhëna konkrete të flasim për projekte dhe reforma të realizuara në sistemin shëndetësor.”
Sipas Rregullores së punës, kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanoski, kërkesën për përgjegjshmëri menjëherë duhet t’ia dorëzojë ministrit Todorov. Ndërkaq, ai ka të drejtë në afat prej dy javësh të prononcohet për atë kërkesë dhe të japë arsyetime para shtëpisë ligjvënëse.
