Mëngjesin e kësaj të marte ka nisur në Tiranë samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor.
Në këtë samit është nënshkruar marrëveshja e tarifave roamning mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.
Kjo marrëveshje parashikon tarifa më të ulëta për qytetarët e Ballkanit në vendet e unionit.
Marrëveshja, e cila është nënshkruar në kuadër të samtit BE- Ballkani Perëndimor, do të nisë së zbatuari më 1 tetor të vitit 2023.
Tarifat e afërta me nivelet nacionale të çmimeve planifikohet të arrihen deri në vitin 2027.
Me Marrëveshjen hapet rruga për fillimin e procesit për heqjen e tarifës për roaming midis vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Më 1 korrik vitin e kaluar u hoq roamingu për bisedat telefonike, SMS mesazhet dhe internetin midis Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës. Me këtë u përmbyll zbatimi i Marrëveshjes së Samitit të Dytë Digjital nga viti 2019 midis gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë samit, janë të pranishëm 27 liderë evropianë, shoqëruar nga delegacionet përkatëse.
Delegacionin qeveritar në Samit nga shteti ynë, e kryeson kryeministri Dimitar Kovaçevski, ndërsa marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Zotimi kryesor i liderëve të bllokut evropian në këtë samit pritet të jetë mbështetja dhe përshpejtimi për procesin e zgjerimit të BE-së. Tema të tjera me rëndësi që pritet të diskutohen janë edhe pasojat e pushtimit rus të Ukrainës dhe bashkërendimi i përgjigjes ndaj tyre, sa i përket politikës së jashtme dhe sigurisë, por edhe përballimit të krizës energjetike.

