Sot ka hapur punimet në Pallatin e Kongreseve Takimi Ndërkombëtar “Paqja është gjithmonë e mundshme”, i cili do të zhvillohet për tre ditë me radhë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Pjesë e këtij takimi do të jenë personalitete të ndryshme botërore nga feja, politika, bota akademike, dhe shkenca, raporton Anadolu Agency (AA).
Paqja, toleranca fetare dhe dialogu do të jenë kryefjala e takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen, që do të mbahet në 6, 7 dhe 8 shtator, dhe që organizohet nga Komuniteti Sant’Egidio, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Qeverinë Shqiptare.
Në seancën e hapjes së këtij takimi i pranishëm ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministra të kabinetit qeveritar dhe shumë të tjerë të ftuar. Ndërkohë në takimin e sotëm në Pallatin e Kongreseve u lexua edhe mesazhi i Papa Françeskut, ku ai ndër të tjera sjell ndërmend vizitën e tij në Shqipëri, në shatorin e vitit të kaluar, duke u shprehur se “ zgjova Shqipërinë si vendin e parë evropian që vizitova për ti dhënën zemër bashkëjetesës fetare”.
Ndërkohë pas leximit të mesazhit nga kreu i Vatikanit fjalën e mori Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai duke iu drejtuar të pranishmëve iu ka uruar mirëseardhjen në vendin që sipas tij Papa Françesku e quajti të vëllazërisë fetare dhe klerikëve iu drejtuar me fjalët: “Keni vlerësimin tim më të lartë jo vetëm për atë që përfaqësoni institucionalisht, por edhe për atë përmasë shpirtërore që përçoni në kohërat e vështira që jetojmë”. Rama në veçanti ka përshëndetur klerikët e ardhur nga Iraku.
Një fjalë të shkurtër përshëndetëse në këtë takim ka mbajtur edhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, i cili u shpreh se Shqipëria është një vend që ndajnë angazhimet e përbashkëta. Ai ka pohuar ndër të tjerë në këtë fjalë se Mali i Zi e sheh vetën në afirmimin e vlerave të dialogut. Vujanoviç është ndalur edhe në procesin e integrimit të vendit të tij në NATO dhe BE, duke theksuar se ky proces sjell më shumë stabilitet në Ballkan.
Në aktivitetet që do të mbahen në kuadër të këtij takimi janë ftuar të marrin pjesë përfaqësues të besimeve fetare botërore (muslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë, hebrenj, budistë, etj) nga Italia, Gjermania, Franca, Turqia, Belgjika, Iraku, Izraeli, India, Rusia, Indonezia, Qipro, Japonia, Kina, Australia, e shumë vende të tjera nga Europa, Afrika, Azia e Amerika Latine. Po ashtu janë ftuar të marrin pjesë edhe personalitete të shquara të politikës, personalitete të larta të të gjitha besimeve fetare, historian, filozofë, ekspertë të zhvillimeve ndërkombëtare, përfaqësues të botës akademike, gazetarë, teologë, shkrimtarë të njohur.
Pas ceremonisë së mbajtur sot të hapjes së takimit, të hënën do të zhvillohet dita e dytë me panele të ndryshme rreth zhvillimeve ndërkombëtare. Gjithashtu edhe të martën do të ketë një sërë aktivitetesh në kuadër të këtij evenimenti ndërkombëtar.
Propozimet konkrete do të jenë për t’u thënë “Ndal!” konflikteve në botë. Propozimet konkrete do të vijnë nga vendet në konflikt si Siria, Iraku, Nigeria, Mindnao (Filipinet) dhe Libia. Aktivitete me të rinjtë do të pasurojnë këtë event me tematikë “Nuk ka të ardhme pa Paqe!”. Dita e tretë do të shpallë “Apelin për Paqen” në të gjithë botën, ku secili nga pjesëmarrësit është i ftuar ta nënshkruajë. Mbjellja e pemës së parë të Paqes nga të gjithë krerët e besimeve fetare do të mbyllë eventin.
