Reforma në shërbime, departizim, reforma në gjykatë dhe luftë më efikase kundër korrupsion janë çështjet që do ta shpien vendin drejt Evropës, tha Kristian Timonie, ambasador i Francës në Maqedoni. Ai tha se lista e kushteve që duhet t’i përmbush Maqedonia është sjellë që në qershor të vitit të kaluar dhe tani shtetet anëtarë do të vlerësojnë sipas raportit që dorëzohet nga Komisioni Evropian nëse Maqedonia ka përmbushur këto pika. Timonie tha se pema është mbjellë dhe po I presim frytet, duke iu referuar Prokurorisë speciale. Sipas ambasadorit të Francës Prokuroria speciale është një temë shumë e rëndësishme, dhe nëse zgjidhet kjo çështje do të dëshmohet se partitë e mëdha politike janë të afta të merren veshë për një punë esenciale.
“Do të them se ajo është një nga elementet e rëndësishme pasiqë mjafton që t’i ndiqni temat aktuale dhe do të shihni sa kjo temë është e përfolur. Megjithatë më e rëndësishme është se nëse kalohet ajo pyetje do të dëshmon se partitë e mëdha politike janë të afta që bashkë të merren vesh për një punë esenciale, në shikim të parë, duke pasur parasysh interesin publik. Ata edhe do të dëshmojnë se janë të aftë ta kalojnë të kaluarën dhe të vendosin një sistem që nuk do të lejoj më shumë largime, sepse kemi vërejtur te disa shtete të rajonit, përderisa zhvilloheshin bisedimet ose kanë hyrë në Unionin Evropian, këto gjëra kanë qenë prezente”, deklaroi Kristian Timone, ambassador i Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Zaev paralajmëroi për sot takime në Ministrinë e drejtësisë, që t’i marrë përfundimet e takimeve të fundit të punës në lidhje me ligjin e ri për prokurorinë publike. Qëllimi është, siç theksoi ai, procesi të përfundohet me kohë, ndërsa në qoftë se ka progres, ka gjasa të zhvillohet edhe takim liderësh me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Pa e përmendur PPS-në, euro komisari Han paralajmëroi se Komisioni Evropian do të japë rekomandim për hapjen e negociatave aderuese për anëtarësim të plotfuqishëm kah fundi i majit, me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në intervistë për REL, ai konfirmoi se rekomandimi do të publikohet më 29 maj, kur Komisioni Evropian do ta publikojë raportin për progresin e vendeve që janë në proces të zgjerimit.
“Ne do ta prezantojmë raportin tonë brenda dy javëve, në të cilin sigurisht do të japim rekomandim pozitiv për të dyja vendet. Kuptohet, çdo herë ka ndonjë punë shtesë që duhet të bëhet. Por, veçanërisht kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut, mendoj se duhet ta pranojmë progresin e madh që ky vend e bëri në procesin e tejkalimit të problemeve bilaterale, që është parakusht për anëtarësimin e ardhshëm. Gjithashtu, reformat në gjyqësi në Shqipëri është diçka që duhet të shpërblehet. Pra, në atë aspekt, mendoj se kjo është vlerësuar në mënyrë pozitive nga vendet anëtare”, theksoi Eurokomisari, Johanes Han.
Negociatat për PPS-në vazhdojnë. Ministria e drejtësisë pret që VMRO-DPMNE ta ndryshojë qëndrimin për propozim ligjin për Prokurorinë publike. Opozita thotë se do t’i përmbahet amendamenteve që i ka dorëzuar, se nuk do të tërhiqen, por se mbeten në qëndrim se teksti, para miratimit të tij, duhet të dorëzohet në Komisionin e Venedikut. Ky ligj është njëra prej çështjeve kyçe për Raportin e Komisionit Evropian që duhet të publikohet deri në fund të këtij muaji, i cili do të ndikojë në fillimin e negociatave për BE.
Përgatiti: Almedina Ismajli
