TikTok njofton: Nga nesër nuk funksionojmë në ShBA

TË FUNDIT

 TikToku publikoi se pothuaj sigurisht do ta ndërpresë punën në SHBA, duke filluar prej nesër, pas vendimit të Gjykatës supreme amerikane lidhur me ligjin që e miratoi Kongresi për funksionimin e këtij aplikacioni të popullarizuar.

“Tik-Toku, për fat të keq, do të jetë i detyruar ta ndalë punën në SHBA më 19 janar, përveç nëse administrata e Xho Bajdenit nuk kujdeset të mos miratohet ligji, me të cilin ndalohet platforma në SHBA nëse pronari i saj kinez nuk pajtohet ta shesë”, thuhet në kumtesën e TikTokut, të publikuar në rrjetin social “Iks”.

TikToku me muaj po lufton kundër këtij ligji, të cilin Kongresi e miratoi në mars në emër të mbrojtjes së sigurisë kombëtare, por Gjykata supreme e SHBA-së dje refuzoi ta ndalë, me çka e përcaktoi fatin e rrjetit social në vend nëse qeveria vendos të mos intervenojë në çastin e fundit.

“Nuk ka dyshim se për më shumë se 170 milionë amerikanë, TikToku ofron mjet të rëndësishëm të shprehjes, interaksion dhe komunitet”, vlerësuan njëzëri nëntë gjykatësit e Gjykatës supreme. Megjithatë, potencuan se Kongresi ka konfirmuar se shitja e tij është e domosdoshme për t’u tejkaluar brengat themelore të sigurisë kombëtare.

Vendimi i Gjykatës më të lartë amerikane erdhi diçka më shumë se 36 orë para afatit të fundit që ia përcaktoi Kongresi kompanisë amë kineze të Tik-Tokut, ByteDance, që ta shesë platformën e saj në SHBA.

Presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Tramp disa herë deklaroi se e përkrah mbajtjen e TikTokut në SHBA, madje edhe u ankua deri te Gjykata supreme me kërkesë për këtë, por pa sukses