TIK-TAKET E FUNDIT TË “FSHESËS”, TV21 MËSON: RROTACION MES RDK-së DHE PLD-së

TË FUNDIT

Burime qeveritare konfirmojnë për TV21 se rikonstruimi i qeverisë pritet të sjellë rokadë postesh mes Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe Partisë Liberal-demokrate.

Ministria e Vetëqeverisjes lokale të cilën e drejton Suhejl Fazliu i RDK-së pritet t’i besohet deputetit aktual Goran Milevski, njëherazi edhe kryetar i PLD-së. Ndërkaq Ministria pa resor për përmirësim të klimës investuese të cilën e drejton Zoran Shapuriq i PLD-së do t’i jepet RDK-së, megjithatë ende nuk dihet se kush nga kjo parti do të emërohet në krye të ministrisë pa portofol. Nga asnjëra parti nuk ishin të kapshëm për të konfirmuar informacionet.

Jozyrtarisht deri më tani mësohet se Sadulla Duraku merr në drejtim Ministrinë e re për Sisteme Politike dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, ndërsa në vend të tij në Ministrinë e Mjedisit pritet të vijë Naser Nuredini, që të dy kuadro të BDI-së. Ndërkaq Hazbi Lika i kësaj partie pritet që më të mos mbajë më postin e zëvendëskryeministrit.

Ndonëse u paralajmërua se deri të premten në Kuvend do të dërgoheshin propozimet për ministrat e rinj, nga kabineti i kryeparlamentarit informojnë se ende nuk i kanë marrë propozimet e Qeverisë. Nga kryeministria të rezervuar për të dhënë detaje për ‘fshesën’.

“Ashtu siç kemi informuar deri në fund të kësaj jave pritet që Kryeministri Zoran Zaev deri tek Kuvendi i RMV-së të dorëzoj propozimin për ndryshimet në kabinetin qeveritar . deri në momentin zyrtar të dorëzimit të propozimit nuk mund të themi nëse do të përfshihen ose jo edhe zëvendëskryeministrat sepse kryeministri vazhdon konsultimet me liderët e partive politike që janë pjesë e shumicës qeveritare”, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha.

Nga ajo që dihet deri më tani, Ministri i Bujqësisë Lupço Nikollovski do të tërhiqet nga ekzekutivi dhe do të jetë Sekretar Gjeneral i LSDM-së, por nuk tregohet se kush do ta zërë vendin e tij.

Për shkaqe shëndetësore, Asaf Ademi më nuk do ta drejtojë Ministrinë e Kulturës. Ai erdhi nga radhët e Alternativës, ndërsa nga partia e Afrim Gashit thonë se me shumë gjasa do të vazhdojnë të drejtojnë me këtë Ministri. Emra konkret nuk japin, ndërsa thonë se janë disa figura pretendente për postin e ministrit.

E paqartë mbetet ende nëse në postet e tyre do të mbeten Ministri i Financave Dragan Tevdovski dhe ai i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugarevski.

Mëngjesin e sotëm ka pasur edhe një takim mes Kryeministri Zaev dhe kreut të PDSH-së Menduh Thaçi, megjithatë edhe pas disa tentimeve, askush nga PDSH nuk ishte i kapshëm për të dhënë detaje se për çfarë kanë diskutuar dy liderët dhe nëse PDSH do të vazhdojë të drejtojë me Ministrinë pa portofol për çështje ekonomike dhe investime të huaja.

Është paralajmëruar se 8 ministra do të lëvizin nga postet e tyre, e nga eshaloni i dytë rreth 20 drejtorë.

Nga opozitarja VMRO-DPMNE akuzojnë se rikonstruimi që po bëhet nuk premton asgjë të re dhe për më mirë. Nga atje kërkojnë madje që edhe zëvendëskryeministri Koço Angjushev të largohet nga qeveria, për shkak se siç thonë, abuzon me funksionin duke kurdisur tenderë për kompanitë e tij.

Përgatiti: Besir Arifi