Dy ministra kryesorë në Qeverinë gjermane kanë botuar një artikull të përbashkët në disa gazeta evropiane, në të cilën bëjnë thirrje në veprim kolektiv të Bashkimit Evropian për të luftuar koronavirusin e ri, raportoi DPA.
Iniciativa e ministrit të Jashtëm Hajko Mas dhe ministrit të Financave, Olaf Sholc vjen në kohën e mosmarrëveshjeve midis vendeve-anëtare të BE-së për atë sa para duhet të ndahen për t’u përballur me tronditjen ekonomike të shkaktuar nga pandemia.
Ministrat e financave të Unionit nesër sërish do ta zgjidhin këtë çështje.
Sipas dy ministrave, nismat e përbashkëta të BE-së – një plan shpëtimi përmes Mekanizmit evropian të stabilizimit (ESM) dhe Bankës Evropiane të Investimeve – mund të përdoren si mjete për të lehtësuar efektet e pandemisë. Sidoqoftë, ata nuk përmendin të ashtuquajturat eurobono, të cilat qeveria gjermane i ka refuzuar deri më tani.
“Solidariteti evropian nuk është rrugë me një drejtim, por politikë për sigurim jetësor për kontinentin tonë”, thanë Mas dhe Sholc në artikullin e tyre.
“Evropa tani përballet me një detyrë të përbashkët për forcimin e programeve ekzistuese, mbushjen e boshllëqeve dhe ndërtimin e një rrjeti shpëtimi për të gjitha vendet e BE-së që kanë nevojë për mbështetje të mëtejshme”, thonë ata.
ESM tashmë u ka lejuar “vendeve të Eurozonës të huazojnë së bashku me kushte të barabarta”, thanë dy ministrat gjermanë.
“Për Italinë, kjo do të thoshte një injeksion i ri prej 39 miliardë eurosh dhe për Spanjën – 28 miliardë euro”.
Të dy e mbështesin idenë e një “fondi garantues mbarë-evropian” për të siguruar likuiditet për bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe mbështetje financiare për vendet anëtare të BE-së përmes nismës SURE (Ulje e riskut të papunësisë) të propozuar nga Komisioni Evropian javën e kaluar.
