Taravari – Selës: Pranoni (FE) që jeni opozitë, se NE dialogut s’i themi JO!

TË FUNDIT

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, pjesë e koalicionit VLEN, Arben Taravari, është i gatshëm që të ulen dhe të diskutojnë çështje të rëndësishme në interes të shqiptarëve. Për çdo ide të mirë, thotë se nuk do të refuzojnë të diskutojnë, por shton se fillimisht, Sela e Ahmeti duhet ta pranojnë se tanimë janë në opozitë.

“Ne kemi qenë të hapur për të biseduar për të gjitha temat të cilat janë të rëndësishme kështu që asnjëherë nuk kemi refuzuar ide të mirë. Si në fillim, ata duhet të pranojnë se janë në opozitë, të adaptohen se janë në opozitë dhe të bëjnë ftesë. Kur të bëjnë ftesë ose edhe ne mund të bëjmë nëqoftëse kanë diçka të rëndësishme që mendojnë se duhet ta bisedojnë, ne jemi të gatshëm të ulemi të bisedojmë me gjithsecilin”, deklaroi Arben Taravari – ASH-VLEN.

Kjo përgjigje e Taravarit vjen pas thirrjes së Ziadin Selës, kryetar i ASH-së – Fronti Europian, i cili në ClickPlus kërkoi që partitë shqiptare duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët me qëllim që në të ardhmen të pengojnë plane dashakeqe ndaj shqiptarëve dhe komuniteteve terja.

“Ne jemi në një kohë që duhet shumë mirë të mendojmë se cila do të jetë sjellja, pozicionimi, jo i Aleancës për Shqiptarët, i BDI-së, Besës, PDSh-së, ose ku e di unë, Lëvizja Demokratike a si quhet jo në raport me VMRO-në, por në raport me politikbërjen maqedonase. Ne këtu duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët në mënyrë që të pengojmë në të ardhmen që të realizohen plane që nuk janë dashamirëse të shqiptarëve, por edhe të komuniteteve tjera”, potencoi Ziadin Sela – ASH-Fronti Europian.

Siç theksoi Sela, në Maqedoni ka shumë paragjykime nga faktori politik maqedonas ndaj shqiptarëve. Thirrjes së tij për ulje në tryezë të përbashkët për çështje e rëndësishme, pozitivisht iu përgjigj edhe përfaqësuesi i Vetëvendosjes në koalicionin VLEN, Bekim Qoku, por duket shtuar se kjo thirrje është me vonesë pasi për të njëjtët nuk kanë bërë thirrje për 22 vite me radhë derisa kanë qenë në pushtet.